DW: Zoti Schmidt, më 1 gusht ju morët detyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën në Sarajevë në një kohë, kur vendi është ndoshta më keq se kurrë, të rinjtë largohen, situata politike është e vështirë dhe ky post është dobësuar shumë vitet e fundit nga paraardhësit tuaj. Si mund t’i kundërviheni ju kësaj situate?
Christian Schmidt: Mendoj se duhet të sqarojmë tri gjëra. Së pari: Unë vij si politikan, jo si diplomat. Ndonjë fjali mund të mos jetë shumë diplomatike, por e qartë, për atë që pres. Në rradhë të parë duhet ta bëjmë të qartë: Ideja e ndjekur vitet e fundit se zhvendosjet e territoreve do të ishin një formë për zgjidhjen apo qetësimin e konflikteve të mundshme në Ballkanin Perëndimor nuk është solide. Ndodh gjithmonë vetëm shkëmbimi i një pakice me një pakicë tjetër. Prandaj integriteti territorial i shteteve në Ballkanin Perëndimor mbetet i tejet i domosdoshëm.
E dyta është pyetja: Si mund të arrihet funksionimi i një shteti në një vend me madhësinë e Saksonisë së Poshtme, me më pak banorë se Berlini, por që ka 137 ministri – si mund të arrihet një qeverisje më e mirë atje? Ku duhet inkurajuar? Ku duhen thjeshtuar gjërat?
Dhe e treta: Nëse është kështu, si thonë shifrat, se 70 përqind e të rinjve nga Bosnje -Hercegovina preferojnë të shkojnë diku tjetër për të kërkuar të ardhmen e tyre, atëherë kjo nuk është gjë e mirë. Ne duhet të fokusohemi te brezi i ri, BE, Përfaqësuesi i Lartë dhe të gjithë me njëri-tjetrin. Sepse të fokusohemi vetëm te zotërinjtë me thinja, nuk do te jetë e mjaftueshme. Unë llogaris me brezin e ri!