Ballina Sport Lojrat e pazakonta Olimpike fillojnë me një ceremoni me distancim fizik

Lojrat e pazakonta Olimpike fillojnë me një ceremoni me distancim fizik

 

Pas një vonese një-vjeçare për shkak të pandemisë, Lojrat Olimpike të Tokios u çelën zyrtarisht të premten me një ceremoni modeste, por megjithatë festive.

Për shkak të masave parandaluese ndaj COVID-19-ës, aktiviteti zhvillohet me një stadium olimpik me mijëra vende bosh, ndërsa merrnin pjesë fizikisht vetëm rreth 900 personalitete dhe zyrtarë të tjerë.

Ceremonia e hapjes, e titulluar “Të Bashkuar nga Emocioni”, do të jetë ndoshta pjesa më normale e këtyre Lojrave Olimpike që pritet të jenë më të pazakontat të zhvilluara ndonjëherë.

Elementë të njohur si fishekzjarret, dronët, shfaqjet muzikore dhe ceremonia e ndezjes së pishtarit përcaktuan tematikën e Lojrave. Atletët do të marshojnë me flamujt e vendeve të tyre në një paradë më të vogël se zakonisht dhe me distancim fizik.

Ekipet kineze dhe gjermane

“Duhet një minimum distancimi fizik prej 1 metri dhe ndoshta 2 metrash, si dhe mbajtja e maskave gjatë gjithë kohës”, tha Hidemasa Nakamura, një nga zyrtarët e komitetit organizator të Lojrave Tokio 2020.

Publiku japonez ka kundërshtuar në masë zhvillimin e Lojrave, për shkak të frikës se do të përkeqësojnë më tej situatën e rënduar me pandeminë në Japoni.

Të enjten, Tokio raportoi gati 2 mijë raste të reja infektimi nga COVID-19, një rekord gjashtëmujor për një qytet që është në situatë emergjence.

Në kryeqytet, janë mbyllur vendet e caktuara për mbledhjen e publikut. Bareve u kërkohet mos të shërbejnë alkool. Maratona e pishtarit olimpik u zëvendësua me ceremoninë e transmetuar në internet.

Deri më tani, 106 persona të angazhuar me Lojrat Olimpike kanë rezultuar pozitivë nga testimi për koronavirusin. Ndër ta janë disa atletë, ëndrra olimpike e të cilëve u ndërpre. Megjithatë, organizatorët janë munduar të qetësojnë shqetësimet për vatra infektimesh brenda Fshatit Olimpik, me argumentin se niveli i përhapjes aty është shumë i ulët.

Hyrja e Fshatit Olimpik

“Nuk ka asnjë vend pa raste virusi. Është e pamundur. Raste do të shfaqen. E rëndësishme është aftësia për të identifikuar rastet pozitive me shpejtësi dhe për t’i izoluar, dhe ne besojmë se kjo po zbatohet mirë për organizimin e sigurtë të Lojrave”, tha zoti Nakamura.

Megjithëse kanë ekzistuar pakënaqësi nga publiku gjatë të gjitha Lojërave Olimpike, Lojrat e Tokios janë mbizotëruar nga një numër i madh lajmesh negative.

Megjithë frikën nga COVID-19, Lojrat gjithashtu tejkaluan në masë buxhetin e planifikuar. Më herët këtë vit, kreu i komitetit organizator dha dorëheqjen pas zemërimit që shkaktoi me komentin se gratë flasin shumë.

Këtë javë, regjisori i ceremonisë së hapjes, Kentaro Kobayashi, u shkarkua pasi ai u shfaq në një filmim nga një komedi e vitit 1998, ku ai tallet me Holokaustin.

Lojrat janë bërë një tematikë aq e pakëndshme, saqë sponsorët kryesorë po largohen. Më herët këtë javë, Toyota, një nga kompanitë më të mirënjohura japoneze, njoftoi se nuk do të transmetojë më brenda Japonisë asnjë reklamë të lidhur me Olimpiket dhe se zyrtarët e saj më të lartë nuk do merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes.

“Duke qenë se kam studiuar historinë politike të Lojërave Olimpike, këto (të tanishmet) radhiten ndër më të pazakontat në historikun olimpik”, tha Jules Boykoff, ish-atlet olimpik dhe autor i disa librave për Lojërat Olimpike.

Megjithë debatin, organizatorët shpresojnë se fokusi do të zhvendoset tek sportet sapo të fillojnë garat.

Uniformat e ekipit olimpik amerikan të krijuara nga Ralph Lauren

Sipas kompanisë Gracenote, që merret me analizimin e të dhënave, Shtetet e Bashkuara pritet të kryesojnë me 96 medalje, nga të cilat 40 medalje të arta. Nëse rezulton kështu, këto do të jenë Lojërat e shtata me radhë në të cilat Shtetet e Bashkuara kryesojnë botën për nga numri i medaljeve të fituara.