Ballina Aktualitet Në BE më shumë të vaksinuar sesa në SHBA

Në BE më shumë të vaksinuar sesa në SHBA

 

Bashkimi Evropian tejkaloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket normës të vaksinimit teksa Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar po përballen me një valë të re të infektimeve, të shkaktuar nga varianti Delta i koronavirusit.

Rreth 55.5 për qind e popullatës së përgjithshme të BE-së tashmë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, krahasuar me 55.4 për qind në Shtetet e Bashkuara, thuhet në të dhënat e Our World in Data.

“BE-ja gjatë kësaj jave ka tejkaluar SHBA-në si kontinent që ka administruar më së shumti doza të para (të vaksinës)”, tha komisioneri Thierry Breton.

BE-ja ishte kritikuar në fillim të vitit, për shkak të një fushate të ngadaltë të vaksinimit. Ndërkaq, SHBA-ja kishte pasur një nisje të vrullshme të fushatës së imunizimit, por së fundmi vaksinimi është ngadalësuar, kryesisht për shkak të hezitimit për të marrë vaksina.

Pavarësisht numrit të lartë të të vaksinuarve në BE dhe SHBA, janë rritur shqetësimet për një valë të re të virusit, për shkak të variantit Delta, i cili është më ngjitës.

Ekspertët shëndetësorë kanë thënë se rreziku kryesor është te personat e pavaksinuar.

Mbi 99 për qind e vdekjeve nga COVID-19 dhe 97 për qind e hospitalizimeve janë në mesin e personave të pavaksinuar, thuhet në të dhënat e Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Infektimet në SHBA janë rritur dyfish në dy javët e fundit, ku në baza ditore janë regjistruar pothuajse 30.000 raste. Ndërkaq, në BE, autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se blloku mund të goditet nga një valë e re e infektimeve në fillim të gushtit.

Për shkak të një vale eventuale, shumë vende kanë ashpërsuar masat. Barcelona dhe qytete të tjera në verilindje të Spanjës kanë rikthyer masën e orës policore gjatë fundjavës, ndërkaq në Llos Anxhellos gjatë kësaj jave u bë e detyrueshme mbajtja e maskave.

Ndërkaq, në Francë, mbi 100.000 persona në disa qytete protestuan kundër masave të reja, që kërkojnë që qytetarët të vaksinohen nëse duan të kryejnë aktivitete të caktuara.