Ballina Ravijëzime Emiratet e Bashkuara Arabe shpikin metodën artificiale për të luftuar vapën përvëluese

Emiratet e Bashkuara Arabe shpikin metodën artificiale për të luftuar vapën përvëluese

 

Disa rajone të Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë Abu Dhabi, Dubai dhe Sharjah kanë përjetuar reshje të mëdha shiu ditët e fundit. Autoritetet e vendit kanë lëshuar një alarm dhe shpjeguan se kryen operacione të mbjelljes së reve për të marrë më shumë reshje. Të mërkurën dhe të enjten, reshjet e mëdha të shiut nxitën shërbimin meteorologjik të vendit arab të lëshonte një alarm përmbytjesh.

Zona më e prekur është Al Sad, në Al Ain, një qytet në lindje të Abu Dhabi. Shirat janë kryesisht për shkak të pranisë së reve konvektive, tipike për klimat tropikale. Këto shira të mëdha vijnë në kulmin e valës së nxehtësisë, me termometrin që prek 50 gradë në vendin e Gjirit Persik. Për më tepër, janë regjistruar erëra deri 40 km/orë, të cilat ngrenë pluhur dhe rërë.

Mbjellja e reve

Siç shpjegohet nga gazeta “Gulf News”, autoritetet kryen operacione të “mbjelljes së reve” për të rritur shiun. Kjo është një teknikë e kushtueshme, në përpjekje për të ndryshuar klimën, që konsiston në shpërndarjen e grimcave në ajër, të cilat mund të shërbejnë si bërthama kondensimi. Nuk është ende e qartë se sa efektive mund të jetë kjo metodë.

Nuk është hera e parë që Emiratet e Bashkuara Arabe përpiqen të modifikojnë klimën e saj artificialisht. Në maj, vendi provoi një sistem të ri për të shkaktuar shi duke përdorur dronë që lëshojnë ngarkesa elektrike në re.