Ballina Rajoni Ndryshojnë masat anti Covid në Kosovë. Ja rregullat e reja

Ndryshojnë masat anti Covid në Kosovë. Ja rregullat e reja

 

Qeveria e Kosovës pritet të miratojë sot masat e reja antiCOVID, të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë, në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar.

Masat e reja: Personat që vijnë në Kosovë nga vendet me rrezik të lartë, duhet të kenë test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë. U ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës personave të cilët kanë vizituar Indinë, Brazilin dhe Afrikën e Jugut, në dy javët e fundit, përveç shtetasve të Kosovës, personave me leje qëndrimi në Kosovë, diplomatëve të huaj dhe personelit mjekësor, të cilët duhet të kenë test negativ PCR dhe të karantinohen për dy javë. Gratë shtatzëna lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë.

Maska vazhdon të mos mbetet e obligueshme: Gjatë ecjes vetëm, gjatë vozitjes me jo më shumë se katër persona., gjatë vrapimit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike, gjatë ngrënies apo pijes. Ndalohet organizimi i ekskursioneve dhe shëtitjeve grupore. Lirohen nga paraqitja e rregullt në zyrat e Ministrisë së Financave, të gjithë përfituesit e skemave sociale. Lejohen grumbullimet në hapësirat e mbyllura (mbledhje, seminare, trajnime) me kusht që të shfrytëzohet 50 % e kapacitetit të hapësirës. Organizatori obligohet të mbajë distancë fizike prej 1 metër në mes të personave.

Lejohet organizimi në ambientet e jashtme, me kusht që të shfrytëzohet 70% e kapacitetit të hapësirës. Mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, lejohet deri në ora 01:00, me shfrytëzimin e 50 për qind të hapësirës, jo më shumë se 300 persona. Distanca mes tavolinave duhet të jetë tri metra. Për mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve të tjera obligohet respektimi i udhëzuesit të veçantë. Klubet e natës obligohen të ndalin muzikën në ora 01:00. Kryerja e pagesave, si dhe lirimi i hapësirës nga ana e klientëve të klubeve të natës duhet të bëhet deri në orën 01:45.

Në ambientet e mbyllura të këtyre klubeve lejohet shfrytëzimi i 50 për qind të hapësirës, ndërsa në ambientet e jashtme 70 për qind të hapësirës. Shërbimet e gastronomisë do të lejohen deri në orën 23:00, ndërsa ditëve të premteve dhe të shtunave, orari do të zgjatet deri në orën 00:00. Operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve lejohet të punojnë me kapacitet të plotë të ulëseve, me kusht që maskat të mbahen gjatë gjithë kohës. Mirëpo, nuk do të lejohet të ketë më shumë udhëtarë sesa që ka ulëse.

Në taksi do të lejohen deri në 3 udhëtarë. Teatrot, bibliotekat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës etj, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 50 % të hapësirave. Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës.