Ballina Aktualitet Biden: E drejta e votës – “test i kohës”

Biden: E drejta e votës – “test i kohës”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se ruajtja e të drejtave të votimit është “test i kohës”.

Gjatë një fjalimi në Filadelfia, Biden, demokrat, tha se është “domosdoshmëri kombëtare” që të miratohet legjislacioni i të drejtave të votimit, i cili ka ngecur në Kongres për shkak të kundërshtimit të Partisë Republikane.

Shumë shtete të kontrolluara nga republikanët kanë miratuar ligje që kufizojnë votimin ose ndryshojnë rregullat e zgjedhjeve, pas pretendimeve të rreme të ish-presidentit republikan, Donald Trump, se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 janë vjedhur, përmes mashtrimit të gjerë të votuesve.

Legjislacioni për të drejtat e votimit, i kërkuar nga Biden, po përballet me një betejë të ashpër në Kongres.

Biden tha se përpjekjet për të kufizuar mundësinë e votimit janë “jo-amerikane” dhe “jodemokratike”.

Ai i krahasoi ato me ligjet e mëparshme, që i ndalonin afrikano-amerikanët dhe gratë në SHBA të votojnë.

Disa shtete të drejtuara nga republikanët kanë kufizuar votimin e gjerë me postë, që ishte vendosur në zgjedhjet e kaluara presidenciale, për shkak të frikës nga koronavirusi.

Të tjerat kanë bërë përpjekje të ashpërsojnë kërkesat për identifikimin e votuesve.