Ballina Aktualitet Takimi i rradhës Kosovë – Serbi me 19 korrik

Takimi i rradhës Kosovë – Serbi me 19 korrik

 

Bashkimi Evropian tha se të hënën do të mbahet në Bruksel, takimi i radhës në nivelin e lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se “ky takim do të përqendrohet në diskutimin mbi përparimin e deritashëm dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve që janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

Bisedimet e së hënës do të shënojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët në takimin parë më 15 qershor, nuk arritën ndonjë përparim.

Presidenti serb kërkoi që Kosova të përmbushë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa kryeministri Kurti tha se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës” dhe në vend të asociacionit propozoi krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës, ngjashëm siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

Kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”.

Pala serbe refuzoi propozimet e kryeministrit Kurti dhe presidenti serb Vuçiç tha se zoti Kurti “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”.

“Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar shqiptarët, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.