Ballina ED/OP SUPRIMIMI I AUTONOMISË, PËRSHPEJTOI 2 KORRIKUN E PAVARËSISË – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

SUPRIMIMI I AUTONOMISË, PËRSHPEJTOI 2 KORRIKUN E PAVARËSISË – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

 

Qysh përgjatë viteve `70-a, fërkimet serbo-kroate, paralajmëronin se pas Titos, Federata jugosllave do të zhbëhet. Të paktën, në një rast, këtë e ka pranuar, madje, edhe pohuar edhe vet Titua. Serbia përgaditej për revansh. Por, krejt e gatshme ishte edhe Kroacia dhe Sllovenia, si dy vende me ekonomi të zhvilluara.
     Vdekja e Titos, më 1980, edhe pse u përcollë me vajtime, gëzimi i shumëkujt vështirë përmbahej. Çdo vdekje kërkon  edhe “kurbanin” e saj. Dhe kjo “i ra për hise” Kosovës.
     Sipas të gjitha gjasave, ecja para e Kosovës, nuk i levërdiste as Serbisë dhe as Shqipërisë. Demonstratat e vitit 1981 ishin rast ideal, për ta ndërprerë hovin arsimor dhe zhvillimor të Kosovës.
     Banda e Millosheviçit, nën slloganin “e luftës kundër nacionalizmit shqiptar”, nuk zgjodhi mjetet. Ishte luftë frontale, anakronike në kohë dhe hapësirë. Suprimimi i Kushtetutës të vitit 1974, më 23 mars 1989, që, pamëdyshje, ishte ripushtim tipik, shënonte edhe fundin e pritshëm të Ferdertatës jugosllave. Rrjedhimisht, suprimimi i Autonomisë, përshpejtoi 2 Korrikun e Pavarësisë.
     Millosheviçi iu kthye epokës së zezë të ministrit të Brendshëm, Aleksandër Rankoviçit, të viteve `50-a, “leçitjes” (përjashtimit), tani, të konvertuar në -diferencim-. E filloi nga shkollat, përkatësisht, mësuesit, për të vazhduar me institucionet tjera, deri në bllokimin e tërësishëm të jetës normale!
     Në këto kushte supërspecifike, lindi partia e parë pluraliste, Lidhja Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga intelektuali i urtë, Dr. Ibrahim Rugova. LDK-ja ishte më shumë se sa parti, ishte Lëvizje Kombëtare, që unifikoi popullin e Kosovës, në veçanti, dhe shqiptarët e kudoshëm, në përgjithësi.
     Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 1990, u bë koordinimi i tre brezave të shqiptarëve të Kosovës, përfshirë edhe brezin e Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu Akademia e Kosovës, Shoqata e Historianëve të Kosovës, e kryesuar nga Prof. Dr. Fehmi Pushkolli, Kuvendi i Kosovës, organizuan tribuna e seminare shkencore, duke potencuar edhe vrasjen e 72 mijë shqiptarëve, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
     Këto veprimtari intensive, sollën deri në përgaditjen dhe shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë, më 2 Korrik 1990. Atë ditë, dera hyrëse e Kuvendit të Kosovës, ishte mbyllur qëllimshëm. Të 114 delegatët shqiptarë, u tubuan para ndërtesës së Kuvendit, në natyrë të hapur, në pritje të një ngjarje të shënuar. Delegati Muharrem Shabani lexoi Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga Akademik Gazmend Zajmi.
     Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut 90-të, ishte përgjigje, flakë për flakë, e suprimimit të Kushtetutës të vitit 1974. Dhe, 2 Korriku 90-të, edhe pse i harruar nga pushtetarët karrieristë e hiçër, të cilët mendonin se historia fillon me ata, kjo datë historike, këtij moti, u shënua solemnisht dhe dinjitetshëm, nga garda shtetërore e pushtetare aktuale.
     Në mbështetje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, u rrjeshtua edhe Lëvizja Gjithëshqiptare, për pajtime, falje gjaqësh, ku pjesëmarrja ishte me qindra-mijëra shqiptarë.
     Me të drejtë, Deklarata Kushtetuese e Pavarësisë e 2 Korrikut 1990, konsiderohet si gurëthemeli i shtetësisë të Kosovës. 2 Korriku i parapriu Deklaratës Kushtetuese ose Kushtetutës së Kaçanikut të 7 Shtatorit, tashmë, nga Kuvendi i Republikës të Kosovës.