Presidenti në shkuarje i Iranit, Hassan Rohani, u ka vënë fajin temperaturave të larta dhe thatësisë, për rritje të kërkesës për energji eletrike.
Teherani dhe shumë qytete tjera iraniane, janë përballur me mungesa të shpeshta të energjisë elektrike së fundmi, dhe autoritetet kanë thënë se ndërprerjet mund të vazhdojnë deri në fund të muajit.
“Na vjen keq për problemet që kanë pasur njerëzit në ditët e fundit”, ka thënë Rohani në një takim me kabinetin e tij, sipas televizionit shtetëror.
Sipas tij, rritja e kërkesës për energji vjen nga “rritja industriale dhe i nxehti ekstrem”, si dhe energjia për operacione të krijimit të valutave digjitale.
Më 5 korrik, Rohani ka thënë se Irani po përballet me “thatësi të pashembullt”, pasi niveli i reshjeve ka rënë për 52 për qind, në krahasim me vitin paraprak, andaj prodhimi i energjisë nga hidrocentralet ka rënë në “gati” zero.
Në disa materiale në rrjetet sociale janë parë shumë iranianë duke protestuar për ndërprerjet e energjisë elektrike në Teheran dhe Shiraz.
Rohani ka përmendur edhe sanksionet amerikane ndaj Iranit, për bllokim të investimeve në infrastrukturën e energjisë.
Ebrahim Raisi ka fituar zgjedhjet presidenciale muajin e kaluar dhe do ta zëvendësojë Rohanin në muajin gusht.