Ballina Art Amsterdam, krijohet ‘plazhi rozë’, i cili po ‘çmend’ Instagram

Amsterdam, krijohet ‘plazhi rozë’, i cili po ‘çmend’ Instagram

 

Ndër kanalet në veri të Europës është krijuar një parajsë e vogël tokësore e gjitha rosë – “pink beach” në Amsterdam dhe është spektakolare.

Është rëra, janë palmat dhe kaktuset – është edhe një pishinë me topa blu, si ajo në të cilën do të donim të zhyteshim kur ishim fëmijë. Ka edhe divane, në të cilët mund të relaksoheni dhe të shijoni një koktej vetëm ose në shoqëri dhe nëse atmosfera është ekzaltuese, mund t’ju vijë dëshira të qëndroni aty për orë të tëra. Nuk mungon asgjë. Në të vërtetë, një gjë, po: deti, pasi plazhi rozë që po çmend të gjithë botën, ndodhet në Amsterdam.

Ky është një detaj, jo i vogël, për ata që dëshirojnë t’i kalojnë ditët e tyre pranë detit. Megjithatë, ju sigurojmë se atmosfera është kaq ëndërrimtare saqë plazhi rozë i përmbush tërësisht funksionet e tij – t’i bëjë njerëzit të ëndërrojnë dhe të jetë sfondi i verës për qytetarët dhe udhëtarët që vijnë në qytet.

Rërë rozë, palma dhe kaktuse  – një atmosferë tropikale, e cila ju nxit dëshirën për të fluturuar aty. Plazhi rozë, midis kanaleve në veri të Europës, po çmend të gjithë qytetarët e Amsterdamit dhe jo vetëm. Në rrjetet sociale po përhapen fotografitë e këtij bari tendencë, udhëtarë dhe influencer janë në garë për të marrë sa më shumë pëlqime. Por kujt i ka ardhur kjo ide kaq e çuditshme dhe origjinale? Plazhi rozë i Amsterdamit mban firmën e WONDR Experience, muzeu pop në Amsterdam, dhe Patricia Bustos, arkitektja spanjolle mjaft e njohur dhe e vlerësuar për propozimet e saj, të gjitha rozë.

Por ideja ishte e Sarah Mendes, themeluese e WONDR, që gjatë emergjencës shëndetësore ndjeu nevojën për të krijuar një hapësirë ëndrrash, e cila do të evokonte, në njëfarë mënyre, plazhe të largëta dhe parajsa tropikale, përkohësisht të paarritshme. U tha,u bë: një plazh i gjithi rozë u krijua dhe është spektakolar. Këtu mund të çlodheni dhe të merrni rreze dielli në tarracën e madhe dhe të porosisni koktej shumëngjyrësh e të ecni me këmbët zbathur në plazhin me rërë rozë.

Por edhe të hani nën shoqërinë e miqve dhe të kërceni, të zhyteni në pishinën me topa shumëngjyrësh, të këndoni dhe të bëni foto të paharrueshme,të cilat me siguri do të marrin shumë pëlqime. Ka vetëm një rregull që duhet të respektoni: të argëtoheni!

/ Si Viaggia.it