Ministri i ri i Shëndetësisë në Britani, Sajid Javid, ka paralajmëruar hapjen e plotë të Britanisë më 19 korrik.
Javid, i cili do të zëvendësojë Mat Hancook që u përshi në një skandal seksual para një jave, tha për “Mail on Sunday” se mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e britanikëve është heqja e kufizimeve të COVID-19 që janë ende në fuqi.
“Argumenti ekonomik për hapjen e vendit tashmë dihet, por për mua argumentet shëndetësore janë po aq urgjente”, tha Javid.
Nga 19 korriku, britanikët e vaksinuar me dy doza do jenë në gjendje të udhëtojnë drejt vendeve të listës së verdhë, pra në gjithë vendet e Evropës pa qenë nevoja të karantinohen në kthim për dhjetë ditë, siç është momentalisht.
Mbajtja e maskave do të jetë mbi baza vullnetare, përfshi edhe transportin publik me përjashtim të spitaleve dhe qendrave shëndetësore.
Ata që i kanë bërë të dyja dozat e vaksinës nuk do u kërkohet të bëjnë me tamponet e COVID edhe nëse ata kanë qenë në kontakt me ndonjë person që është me virus, por tamponët do jenë të disponueshëm, nëse ata do duan ti bëjnë ato.
Ndërkohë, shkollat nuk do të mbyllen edhe nëse ndonjë fëmijë do rezultojë i infektuar me COVID. Sakaq, restorantet, pabet dhe dyqanet nuk do u kërkojnë më klientëve të ofrojnë të dhënat e tyre personale dhe të regjistrohen kur i frekuentojnë ato.
Qeveria britanike do t’i shqyrtojë masat javën e ardhshme dhe mendohet se më 12 korrik, një dite pas finales se Uemblit, ato do të bëhen publike.
Ndryshe, Britania e Madhe është ndër vendet e para në botë për nga vaksinimi, ku 85.7 për qind e të rriturve kane marrë dozën e parë, ndërsa 63.4 të dyja dozat.