Ballina Aktualitet OBSH rekomandon testime për COVID-19 në shkolla

OBSH rekomandon testime për COVID-19 në shkolla

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje të premten (2 korrik) që të kryhen testime për COVID-19 në shkolla në mënyrë që të shmanget mësimi në distancë.

Testimet, sipas OBSH-së, duhet të bëhen edhe kur nuk zbulohen raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.

Organizata i quajti “të dëmshme” efektet e mësimit në distancë.

Më parë, testimet në shkolla ishin rekomanduar vetëm nëse ishin zbuluar disa raste të të infektuarve me koronavirus.

Por, OBSH-ja tash beson se testimi duhet të bëhet edhe nëse nxënësit dhe stafi arsimor, nuk kanë simptoma të sëmundjes.

“Muajt e verës u ofrojnë qeverive një mundësi për të marrë një sërë masash që do të ndihmojnë në uljen e niveleve të të infektuarve dhe shmangjen e mbylljes së shkollave”, tha Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropën.

Ai shtoi se mbyllja e shkollave “ka një efekt të dëmshëm në arsimimin, mirëqenien sociale dhe mendore të fëmijëve dhe të rinjve”.

“Ne nuk mund të lejojmë që pandemia të grabisë arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve”, tha Kluge.

Rajoni Evropian i OBSH-së mbulon 53 vende dhe territore, përfshirë disa në Azinë Qendrore.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se mbyllja e shkollave duhet të konsiderohet vetëm si një “masë e fundit” në rastet kur situata epidemiologjike nuk mund të kontrollohet përmes masave tjera.