Ballina Aktualitet Stoltenberg: NATO përkrah bisedimet Kosovë-Serbi

Stoltenberg: NATO përkrah bisedimet Kosovë-Serbi

 

“Përshëndesim vendimin që FSK nuk ndërhyn në Veri”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të ishte në dobi të tërë rajonit. Ai gjatë qëndrimit njëditor në Kosovë ka takuar krerët e  KFOR-it dhe të institucioneve të Kosovës ndërsa ka siguruar se NATO do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë.

“Ne përkrahim fuqishëm përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Jemi këtu për shumë vjet dhe ndihemi përgjegjës për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe gjithë rajonin”.

Duke folur për tranzicionin e FSK-së në ushtri ai ka thënë se NATO-ja do të vazhdojë të punojë me FSK-në. Ai me autoritetet në Kosovë ka diskutuar edhe për çështjen e marrëveshjes së vitit 2013 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ku Thaçi kishte siguruar që FSK nuk do të vizitojë veriun pa marrëveshje paraprake me KFOR-in e të cilën e kishte kundërshtuar Albin Kurti me tu bërë kryeministër për herë të parë, madje ka thënë se atë letër e ka dërguar në prokurori.

“E kemi diskutuar këtë çështje. E mirëpres që autoritetet kosovare e respektojnë marrëveshjen e nënshkruar më 2013 që FSK të mos shkojë në veri pa darkodrim paraprak me KFOR-in dhe NATO-n. Kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur balancën dhe për të shmangur çdo gjë që do të minonte dhe dobësojë mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe do të minojë procesin e dialogut”. 

I pyetur lidhur me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, Stoltenbergu ka deklaruar se anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike nuk mund të bëhet pa pajtimin e 30 anëtarëve të saj ndërkohë që ka shtuar se Kosova ende nuk njihet nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.