Ballina Aktualitet Qytetarët e BE-së të shqetësuar për statusin ligjor për të jetuar në...

Qytetarët e BE-së të shqetësuar për statusin ligjor për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar

 

Marrë nga Associated Press

Shtetasit evropianë që jetojnë në Britani kanë afat deri sot për të aplikuar për leje qëndrimi ose e humbasin këtë të drejtë. Kjo sipas një rregulli të qeverisë britanike të miratuar pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Për disa procesi ka qënë i thjeshtë, për të tjerë aplikimi ka sjellë ndjenja të trazuara.

Marlies Haselton e ka quajtur Britaninë shtëpinë e saj për më shumë se tre dekada. Shtetësja holandeze u martua me një shtetas britanik dhe lindi fëmijët e saj atje. Deri në ndarjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, ajo kurrë nuk kishte menduar për statusin e saj të imigracionit në Britani të Madhe.

Miliona evropianë kanë jetuar, punuar dhe studiuar lirisht në Mbretërinë e Bashkuar për vite me radhë, por pas Brexit-it këto të drejta nuk jepen më automatikisht. Në vitin 2019 qeveria britanike prezantoi një plan për statusin ligjor të evropianëve në Britani dhe afati i fundit për aplikimin është e mërkura.

Që nga 1 korriku, çdo migrant evropian që nuk ka aplikuar do të humbasë të drejtën ligjore për të punuar, për të marrë me qera apartamente banimi, për të patur qasje në spitale apo për të marrë ndihma sociale në Mbretërinë e Bashkuar. Ata madje mund të deportohen.

Për zonjën Haselton dhe shumë të tjerë, është një moment që e bën të prekshëm ndikimin e referendumit të vitit 2016 të Britanisë për t’u larguar nga BE-ja. Megjithëse e mori statusin për banim të përhershëm në Britaninë e Madhe, zonja Haselton thotë se i gjithë procesi e ka bërë atë të ndihet e pasigurt për jetën që ndërtoi në Britani.

“Unë nuk mund të marr shtetësinë. Është pak fyese sepse unë jam pjesë e këtij vendi. Dhe tani e kam humbur këtë ndjesi,” thotë zonja Haselton.

Aktivistët janë të shqetësuar se dhjetëra apo ndoshta qindra mijëra evropianë mund të mos kenë aplikuar brenda afatit. Shumë të moshuar që kanë jetuar në Britaninë e Madhe për dekada të tëra nuk janë të vetëdijshëm se duhet të aplikojnë. Shifrat zyrtare tregojnë se vetëm 2% e aplikantëve ishin 65 vjeç ose më të moshuar. Shumë prindër gjithashtu nuk e kuptojnë se duhet të aplikojnë për fëmijët e tyre, thonë grupet e migrantëve.

Qeveria e Britanisë thotë se rreth 5.6 milionë njerëz – shumica nga Polonia dhe Rumania – kanë aplikuar për status qëndrimi, shumë më tepër sesa vlerësimet fillestare.

Lara Parizotto, aktiviste me organizatën “The3million”, një grup i krijuar pas referendumit të Brexit-it për të lobuar për të drejtat e qytetarëve të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar, ka punuar për të nxitur shtetasit evropianë të aplikojnë.

Nuk ka shifra të sakta se sa njerëz mund të kenë humbur afatin, thotë zonja Parizotto. Por edhe një përqindje e vogël e popullsisë evropiane në Mbretërinë e Bashkuar do të ishin dhjetëra mijëra njerëz.

“Edhe pse ka mbetur pak kohë përsëri takojmë njerëz që thonë ‘tani e dëgjova që duhet të aplikoj për fëmijët’. Jemi të shqetësuar edhe për ata njerëz që nuk kanë aftësi digjitale për të plotësuar formularin online. Dhe në përgjithësi njerëzit që nuk i ndjekin lajmet apo që kanë probleme mendore ose fizike dhe që nuk mund të bëjnë aplikimin”, thotë zonja Parizotto.

Me vetëm disa orë të mbetura para përfundimit të afatit, zonja Parizotto po lufton me kohën për të informuar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.

Studenti 17 vjeçar Kacper Adamus, shtetas polak që ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për 10 vjet thotë se nuk pati problem të plotësonte aplikimin.

“Ishte mjaft e lehtë, nuk merrte shumë kohë. Ishte shumë e lehtë për mua ta plotësoja dhe vërtetë nuk pata ndonjë problem për ta bërë aplikimin” thotë ai.

Por për zonjën Haselton, procesi ka sjell një humbje të besimit. Bashkëshorti i saj britanik po e shtyn familjen të zhvendosen në Holandë si pasojë e drejtpërdrejtë e Brexit-it. Ajo nuk di ç‘të bëjë.

“Ende e dua këtë vend, do më vinte shumë keq nëse do të më duhej të lëvizja. Në të njëjtën kohë nuk jam e sigurt në se dua të qëndroj këtu tani”, thotë zonja Haselton.