Ballina Bota Kim pranon se në Korenë e Veriut ka “krizë të madhe”

Kim pranon se në Korenë e Veriut ka “krizë të madhe”

 

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se dështimi për të zbatuar masat kundër koronavirusit, ka shkaktuar “krizë të madhe”.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se Kim i ka ndëshkuar disa zyrtarë të partisë në pushtet, për “rrezikimin e sigurisë së vendit dhe të njerëzve”.

Raporti i KCNA-së nuk dha hollësi për natyrën e krizës.

KCNA po ashtu nuk specifikoi nëse shkarkimi i disa zyrtarëve të partisë ka të bëjë me neglizhencën ndaj detyrave që lidhen me pandeminë.

Koreja e Veriut nuk ka konfirmuar zyrtarisht asnjë rast me koronavirus – gjë që është vënë në dyshim nga ekspertët ndërkombëtarë të shëndetësisë.

Por, vendi komunist ka ndërmarrë masa të rrepta kundër koronavirusit, duke mbyllur kufijtë dhe ndaluar udhëtimet e brendshme.

Për pasojë ka rënë edhe tregtia me Kinën.

Koreja e Veriut varet nga Kina për ushqime dhe karburante.

Ky vend përballet me vështirësi edhe si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, të vendosura për shkak të programit të tij bërthamor.

Ditë më parë, Kim ka pranuar se situata me ushqime në vendin e tij është rënduar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përgatiten për “më të keqen”.

Ai e ka krahasuar situatën me urinë vdekjeprurëse në Korenë e Veriut, në vitet 1990.

Numri total i verikoreanëve që kanë vdekur atëbotë nga uria, nuk dihet saktë, por besohet të ketë qenë rreth 3 milionë.