Ballina Kulturë NJË MANIFESTIM I DINJITETSHËM KULTUROR NË STANKAJ TË RUGOVËS – Nga Tahir...

NJË MANIFESTIM I DINJITETSHËM KULTUROR NË STANKAJ TË RUGOVËS – Nga Tahir Bezhani

 

Manifestim nga trashëgimia  kulturore:

”Dita e Plisit”,26 qershor 2021

 

Në Stankaj të Rugovës, rrethuar me bukuritë e rralla të atij relievi bjeshkor, nën freskinë e ajrit të pishave të gjata naimiane, me prezencën e shumë personaliteteve të jetës kulturore të trojeve tona,u mbajt manifestimi i tetë nga trashëgimia jonë,”Dita e Plisit”,një eveniment kulturor me përmasa mbarë kombëtare.

Dje në Stankaj, ishte e vogël oda e burrave në kullën e rapsodit HysenKurtaj, për t’u vendosur afër njëqind burra nga shumë vende në shtrirje kombëtare, duke u nisur nga Shkodra, por edhe diaspora, ku kishin ardhur shumë intelektualë në këtë manifestim të përvitshëm kulturor në vendin tonë.Ideatorët e këtij manifestimi, IsmetKrasniqi-Lala, letrarët PrendBuzhala,  Gjegj Gjergjaj, Idriz Berisha etj. intelektual të spikatur nga Klina, kishin bërë organizimin në mënyrën më të mirë të mundur, ashtu që pjesëmarrësit të ndiheshin sa më komod  gjatë këtij manifestimi.Dje në Stankaj,në dhomën e burrave të kësaj kulle guri, e cila dukej më e bukur se ajo e Ejfelit në Francë, nga se ishte mrekulluar nga mënyra e përgatitjes dhe pritjes së mysafirëve. Të gjithë të pranishmit mbanin plisa të bardhë në kokë, ulur sipas traditës, duke respektuar njëri tjetrin për nga mosha dhe largësia e ardhjes.  Në mesin e odës,në një sofër pishe,ishte ekspozuar botimi i  librit nga edicioni i shtatë i këtij manifestimi.

Në muret e odës dukeshin për bukuri veglat e artit muzikor,çifteli,sharki ,lahuta, të punuar nga dorë e palodhur e rapsodit të mirënjohur, Hysen Kurtaj. Në ballin e oxhakut, ende rrinte varur llamba e vajgurit, e cila vezullonte nga pastërtia, ndërsa reflektonte një pjesë të historisë sonë, kohën kur nuk kishim rrymë deri në vitet 60-ta të shekullit të kaluar.

Në mesin e dhomës, sipas traditës, kishin zënë vendin këngëtarë të njohur nga vendi, por edhe nga diaspora e largët. Sipas pikave të programit, me radhë këndonin këngë patriotike nga  historia jonë  e përvuajtshme, por krenare. Lahutari i njohur në rrafshin kombëtar, Hysen Kurtaj, ishte një atraksion i veçantë me këngë nga eposi jonë historik.Para fillimit të manifestimit sipas planifikimit nga artisti i  skenës dhe letrari Ismet Krasniqi-Lala, në hyrje të dhomës u dëgjua thirrja tradicionale për të zotin e shtëpisë,” a do mysafir orreeee!”,ku pasoi përgjigjja e z.Kurti, “O mirë se vini orrree!..”,ku veçohej  mikëpritja e miqve me bujari nëpër shekuj.

Ndue Sanaj(djathtas),Ismet Krasniqi e Prend Buzhala.

Z.Prend Buzhala e Ismet Krasniqi-Lala,gjatë programit në oden e burrave,  në Stankaj.

TRASHËGIMIA JONË KOMBËTARE VLERA QË NUK GUXOJMË T’I HARROJMË.

Gjithë manifestimet nga trashëgimia jonë kulturore,vite me radhë, kanë të vetmin qëllim që më të rinjve t’ua kujtojmë kulturën tonë nëpër breza,vlerat thesariale që duhet të ruhen e kultivohen edhe në të ardhmen. Bazuar në tradita si pasuri e trashëguar ndër breza, njihemi,dallohemi nga popujt e tjerë të Evropës e botës. Si thesar dallues e trashëgimtar kemi pasur veshjen, mikpritjen,besën,bujarinë e shumë gjëra të tjera, që na kanë dalluar nga të tjerët. Në manifestimet e kaluara,  është folur mjaft për simbolin më të vjetër shqiptar, për plisin,historinë dhe përdorimin,ndryshimet e pamjes në aspekte krahinore etj.Në kuadër të kësaj trashëgimie janë edhe veglat folklorike me të cilat nëpër shekuj i kemi kënduar jetës sonë në të gjitha aspektet,  luftës e të paqes,  gëzimit e hidhërimit, por edhe dashurisë.

Këtë radhë,letrari,poeti e kritiku me nam letrar, z.PrendBuzhala, trajtoi një temë interesante ,duke u thelluar në kodin e etikës dhe nderit tek shqiptarët, me temën, ”Kulti i nderit në traditën shqiptare”, duke elaboruar edhe disa pjesë kanunore. Si studiues që është ,z.Buzhala zgjoi interesimin e të pranishmëve ,duke trajtuar aspekte të filozofisë sonë në të kaluarën dhe të tashmen, si trashëgimi kanunore  por edhe pasuri historike se si janë rregulluar normat e jetës brenda një kolektiviteti, gjithmonë me sundimtarë mbi kokë…

Në vazhdën e traditave si trajtesë, zuri vend interesimi i veglës së folklorit tonë burimor shqiptar,lahutës,për të cilën foli lahutari Hysen Kurtaj, i cili pos tjerash shtoi:

“ Të dashur miq e vëllezër,me këtë lahutë kam kënduar kudo,në të gjitha trevat shqiptare, deri në Evropë e Amerikë. Kudo më kanë pyetur për këtë vegël të historisë sonë dhe u kam folur pa pritëse. Kur isha në  disa vende të trojeve tona shqiptare,jam indinjuar shume kur të rinj më pyesnin se “çka është kjo,si bie kjo….

Më janë mbushur sytë me lotë, herë herë. Për këtë mosdije të brezave e paguam shtrenjtë,duke na  e përvetësuar lahutën serbët si trashëgimi të tyre kombëtare. Këtë barrë historike le ta mbajnë kompetentët në udhëheqje shtetërore,institucionet arsimore , që nuk bëjnë sa duhet për ruajtjen e vlerave tona historike, përfundoi Hysen Kurti, duke ia thënë pastaj një kënge mjaft të prekshme për historinë tonë.

Rapsodi Hysen Kurtaj Stankaj-Rugovë.

Në këtë manifestim kulturor të trashëgimisë sonë,si pikë programore ishte edhe leximi i poezive të poetëve nga trevat tona dhe diaspora. Poezitë e tyre i lexuan:

Lulash Brigja, Rrahim Sadiku ,Agim Desku, Idriz Berisha,Raif Gashi,Gjon Gjergjaj, Safet Hasani,Magjun Osmanaj etj.

Kulminante  e këtij manifestimi  ishte momenti i ndarjes së  disa mirënjohjeve nga ana e Kryesisë së Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra. Ndarja e mirënjohjeve u bë nga kryetari i kësaj shoqate, publicisti dhe aktivisti i dalluar i jetës kulturore, z. Ndue Sanaj. Kjo shoqatë është pjesë përbërëse e aktiviteteve të përbashkëta me intelektualët nga Klina, që disa vite. Mirënjohje iu ndanë për kontribute të veçanta në krijimtari dhe në jetën kulturore në tërësi:

Zymer U.Neziri, titulli “Mirënjohje e Shoqatës Atdhetare Dukagjini”, ndërsa, Bajram Kelmendi,posmortum,iu nda  Çmimi “Mehmet Shpendi”,Sejdi Berisha,çmimi “MartinCamaj”,Frrok Kristaj”Mirenjohja e Shoqatës Atdhetare  “Dukagjini” ,Gjergj Gjergjaj për  muzeun ” Agimet e Gjytetnisë”, Tahir Bezhanit i jepet mirenjohja “Martin Camaj”.

Të pranishmit e mirëpriten veprimin e z. Ndue Sanaj, duke i duartrokitur gjatë ,ndërsa organizatori, Ismet Krasniqi -Lala e falënderoi përzemërsisht.Në fund të  këtij programi mjaft të bukur ,pas falënderimit të organizatorit, në oborrin e kullës në Stankaj, vazhdoi programi me këngë të trashëgimisë popullore, këngë kapuçash, valle  rugoviane ,luajtur  me një elegancë artistike të rrallë.

Fotot që flasin pa koment.(vallëzon Hysen Kurtaj me një mik tjetër..)

Pamje të bukura rugoviane

Një koktej me ushqime vendore, ishte mbyllja e kësaj dite të veçantë, mes krijuesve nga brenda e jashtë vendit ,me vëllezër nga Shkodra e Presheva e vende tjera shqiptare,sikurse dhe nga diaspora.Ndarje  e përqafime  të përmallshme  me shpresa për takime të serishme…

Stankaj, 26 Qershor 2021