Thonë se disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë në Romë. Por, tani, Koloseu dëshmoi se ajo teori ishte e gabuar, duke hapur nivelet nëntokësore për publikun.
Kjo nuk është vetëm hera e parë në 2000 vjet që zona – e përshkruar si “zemra” e ndërtesës, hapet; katet nëntokësore, apo “Hipogeumi”, ishin vendi ku gladiatorët apo kafshët prisnin deri sa të ndesheshin – kjo është hera e parë në historinë e monumentit që publiku do të lejohet ta vizitojë. Në atë kohë, Hipogeumi ndriçohej me dritën e qirinjve.
Ministri italian i Kulturës foli për punën e madhe të restaurimit të korridoreve ku prisnin ata që do të ndesheshin në luftim. Punimet u kryen në bashkëpunim me markën italiane të modës Tod’s ku në ceremoninë përuruese ishte i pranishëm dhe CEO i saj, Diego Della Valle.
Alfonsina Russo, drejtuese e Parkut Arkeologjik të Koloseut tha se punimet do t’i lejojnë njerëzit të kuptojnë më mirë se si funksiononte Koloseu. “Ishte një punë komplekse – shpjegon drejtuesja e Parkut Arkeologjik – Alfonsina Russo – rezultatet e së cilës janë ende duke u studiuar” – por gur pas guri “dëshmon gjithçka ndodh poshtë arenës së madhe të Amfiteatrit, nga përurimi i tij në vitin 80 pas Krishtit deri te shfaqja e fundit në vitin 523. Restaurimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kërkimet arkeologjike, pasi do të na lejojë të rindërtojmë historinë e tij” – tha ajo për CNN.
Projekti i restaurimit – në dekadën e fundit i gjithë Koloseu është restauruar – nisi nga CEO i markës së modës, Tod’s, Diego Della Valle, dhe nga Departamenti i Trashëgimisë Arkeologjike të Romës, më 2011. Shtëpia e modës ka kontribuar me 25 milionë euro për restaurimin.
Restaurimi u krye në tre faza kryesore, duke filluar me një pastrim të plotë të fasadës së monumentit dhe më pas duke punuar në zonat nëntokësore. Një pjesë e vogël e Hipogeumit u hap për publikun në vitin 2016. Punimet e mëdha të restaurimit nisën në 2018, megjithëse ato u vonuan nga pandemia.
Më shumë se 15 mijë metra katrorë sipërfaqe, 81 specialistë të angazhuar çdo ditë, në mesin e të cilëve 45 restaurues, gjeologë, fizikanë, topografë, inxhinierë dhe punëtorë, 55 mijë orë dhe 7 mijë ditë pune. Në këtë mënyrë, Hipogeumi i Koloseut, ai labirint korridoresh, harqesh dhe kalimesh ku përgatiteshin shfaqjet e amfiteatrit Flavio, tani hapen sërish për publikun, falë restaurimit dhe angazhimit të Grupit Tods.
Ky monument brenda një monumenti, sot mund të vizitohet duke përshkuar një shteg gjarpërush 160 metra, në pritje të asaj ‘pas-skene’ të 2000 viteve më parë në errësirë.
Koloseu u ndërtua nga perandori Vespasiano, punimet e të cilit nisën në vitin 72 pas Krishtit dhe përfunduan tetë vite më vonë. I biri, Tito, e përuroi Koloseun me 100 ditë lojërash. Sipas historianit antik Eutropius, gjatë atyre lojërave përuruese u vranë 5,000 kafshë.
Në kohën e lulëzimit, amfiteatri mund të mirëpriste 50 – 70 mijë spektatorë. Pas rënies së Perandorisë Romane, ai u përdor si një burim materialesh për punime të tjera rreth qytetit. Sot është një ndër atraksionet kulturore më të famshme në botë, të cilin e vizitonin rreth 5 milionë turistë në vit, para pandemisë.
*Hipogeumi është një strukturë nëntokësore e Koloseumit, e ndërtuar 10 vjet pasi u ndërtua amfiteatri. Hipogeumi u përdor si një dhomë ku qëndronin kafshët dhe gladiatorët, që do të luftonin deri në vdekje në amfiteatër. Ai përfshinte një sistem galerish dhe dy korridore të mëdha.
/ CNN