Ballina Aktualitet Gjermania synon ta shpejtojë fushatën e vaksinimit

Gjermania synon ta shpejtojë fushatën e vaksinimit

 

Gjermania do të ketë së shpejti doza të mjaftueshme të vaksinave kundër koronavirusit, për të mundësuar vaksinimin nëpër pika të ndryshme të qytetit, apo edhe në vendet për lutje, teksa tenton të imunizojë të paktën 80 për qind të popullsisë, kanë thënë autoritetet shëndetësore të shtunën.

Ndonëse kërkesa është ende duke tejkaluar kapacitetet, kjo do të ndryshojë në javët në vijim, ka thënë ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn, duke shtuar se ky shtet duhet të vazhdojë me shpejtësi procesin e vaksinimit për të parandaluar përhapjen e variantit Delta të koronavirusit.

Qeveria do të dërgojë pesë milionë doza të vaksinës në qendrat rajonale të vaksinimit në javën e parë të korrikut derisa kompania Moderna, do të ketë mundësi të dorëzojë dyfishin e dozës së premtuar, ka thënë Spahn, në një diskutim televiziv për koronavirusin.

Kjo nënkupton që Gjermania do të rrisë fushatën edhe në aspektin e inkurajimit të atyre që hezitojnë të marrin vaksinën, apo të ofrojë doza edhe për kalimtarët nëpër rrugë, si dhe në xhami e kisha.

Spahn ka thënë se aktualisht autoritetet kanë qindra mijëra doza të vaksinave të prodhuara nga AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, të cilat nuk janë përdorur menjëherë, pasi gjermanët më shumë pëlqejnë vaksinën e prodhuar nga Pfizer/BioNTech.

Gjermania ka vaksinuar plotësisht më shumë se një të tretën e popullsisë, derisa 53 për qind e kanë marrë një dozë, ka raportuar Instituti Robert Koch.

Udhëheqësi i këtij Instituti Lothar Wieler, ka thënë se Gjermania synon të vaksinojë 80 për qind të popullsisë për të pasur “mbrojtje bazike”.

Ndonëse shifrat e të infektuarve janë të vogla aktualisht në Gjermani, Spahn ka thënë se përhapja e shpejtë e variantit Delta në Britani dhe Izrael, ka shfaqur nevojën për vaksinim të shpejtë.

Prej shpërthimit të pandemisë, autoritetet gjermane kanë regjistruar 3,726,172 raste të infektimit.

Prej tyre 90,746 pacientë kanë vdekur.