Ballina Aktualitet Norvegjia ndan për Kosovën mbi 180 mijë doza të vaksinës AstraZeneca

Norvegjia ndan për Kosovën mbi 180 mijë doza të vaksinës AstraZeneca

 

Norvegjia do të japë donacion për Kosovën më shumë se 180,000 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca.

Kështu është bërë e ditur përmes një postimi në Twitter të faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Sipas tij, ministrja e Jashtme norvegjeze Ine Marie Eriksen Søreide, ka thënë se Kosova mund të varet në Ekipin e Evropës, dhe se vendimi për donacion është marrë pas bashkëpunimit të mirë me Mirosllav Lajçak, përfaqësuesim e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Kosovë deri më tani, të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 141,008 persona.

Një javë më parë, në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Ky vend është duke vaksinuar popullatën me vaksinat e pranuara nga Bashkimi Evropian dhe programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ndan vaksina për vendet në zhvillim.

Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,673 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,253 kanë vdekur.