Ballina Aktualitet Merkel e Macron bëjnë thirrje për vigjilencë ndaj varianteve të koronavirusit

Merkel e Macron bëjnë thirrje për vigjilencë ndaj varianteve të koronavirusit

 

Liderët e Gjermanisë dhe Francës, kanë bërë thirrje për vigjilencë, me qëllim të luftimit të varianteve të koronavirusit, që këtë javë kanë ndikuar në shtyrje të heqjes së kufizimeve në Britani të Madhe.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka thënë se ndonëse Gjermania ka aktualisht numër shumë të vogël të të infektuarve me koronavirus, variant “agresiv” Delta mund të rrisë numrin në javët në vijim.

“Nuk mund të pretendojmë se koronavirusi ka kaluar”, u ka thënë Merkel gazetarëve në Berlin.

“Ndonëse ekziston ndjenja në netët e nxehta të verës se kjo tashmë ka kaluar, mund ta shihni nga shembulli i Lisbonës se gjërat mund të ndryshojnë shpejt”.

Autoritetet portugeze kanë ndaluar të enjten udhëtimin brenda dhe jashtë rajonit të kryeqytetit në fundjavat e ardhshme, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me variantin Delta të koronavirusit.

Më herët gjatë kësaj jave, edhe kryeministri britanik Boris Johnson, ka shtyrë datën e heqjes së masave për katër javë, pasi autoritetet kanë regjistruar mijëra raste të reja të infektimit, kryesisht edhe variantin Delta.

Merkel ka folur para një darke pune me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Kjo është hera e parë që ajo ka pranuar një zyrtar të lartë në Gjermni, prej vitit të kaluar.

Macron ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë të jenë vigjilentë, teksa Bashkimi Evropian do të diskutojë në samitin e ardhshëm si të harmonizojë më mirë kufizimet për udhëtime në kohën e pandemisë.

Shtetet e Bashkimit Evropian janë afër dhënies së një doze të vaksinës pothuajse gjysmës së popullsisë, ndërsa një e treta e popullsisë besohet se ka marrë të dyja dozat.

Britania e Madhe, e cila është larguar nga blloku evropian vitin e kaluar, ka shkallë më të lartë vaksinimi.