Ballina Muzikë Diana Ross rikthehet me album pas 20 vitesh

Diana Ross rikthehet me album pas 20 vitesh

 

Ikona e muzikës, Diana Ross, po rikthehet në skenë me albumin e saj të parë me muzikë origjinale “Thank You”, pas pothuajse 20 vjetësh.

I bashkëshkruar nga ylli ikonik gjatë karantinës dhe i incizuar në studion e saj në shtëpi, albumi do të publikohet gjatë vjeshtës, ka njoftuar të enjten kompania muzikore “Decca Records”, përderisa është konfirmuar se është bërë pjesë e kësaj kompanie.

Producentët dhe bashkëpunëtorët në 13 këngët e albumit “Thank You” janë Freddie Wexler (Ariana Grande), Tayla Parx (Beyonce) dhe Jack Antonoff (Taylor Swift / Lana Del Rey).

“Ky koleksion këngësh është dhurata ime për ju me vlerësim dhe dashuri”, ka thënë Ross në një komunikatë dhe shtoi: “Jam përjetësisht mirënjohëse që pata mundësinë ta incizoj këtë muzikë të lavdishme në këtë kohë”, transmeton KultPlus.

Kënga e parë e albumit, me titullin e njëjtë “Thank You”, u publikua të enjten – duke u bërë kënga e parë e publikuar nga ylli muzikor pas 15 vjetësh.

Albumi i fundit i legjendës së “Motown” ishte koleksioni i ripërpunimit të disa këngëve të tjera , i “I Love You”, në të cilin ishte vetëm një këngë origjinale e artistes. Ky album ishte realizuar shtatë vjet pas publikimt të albumit “Every Day is a New Day”.

Ross e ka nisur karrierën e saj më 1970, gjatë së cilës ishte 12 herë në vendin e parë në listën muzikore “Billboard Hot 100” me “The Supremes”, por edhe me këngët “Ain’t No Mountain High Enough”, “Touch Me in the Morning” dhe “Endless Love”.

Ikona e muzikës ka dy yje në “Walk of Fame” të Hollywoodi – një si anëtare e trios dhe një si artiste. Gjithashtu, ka fituar një çmim “Grammy” për arritje jetësore më 2012.

Ross do ta nisë turneun muzikor vitin e ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar, i cili do të përfundojë me koncerte për dy netë radhazi në sallën O2 në Londër.