Para disa muaj krijuesi dhe miku nga Shkodra, Ndue Sanaj, më paralajmëronte që në qershor do takohemi sërish në Gjakovë. Me këtë krijues të mirëfilltë ishim takuar disa herë edhe më parë. Shkodranët janë miq të mirë, të dashur e bujarë, kultivojnë sojninë me traditë. Është e njohur në Malësi tradita se miku kur të kalon afër shtëpisë, edhe në mos pastë kohë të ndalet, bile për një kafe, një zë ta lëshon nga larg ;”a jeni mirë ore?…” dhe vazhdon rrugën….
I tillë është shkodrani Ndue Sanaj. Nuk e kalon Gjakovën pa u ndalë për të pirë një kafe e bërë pakës llafe, pa pyetur për letrarët e Gjakovës dhe aktivitetet tona.
Kështu ishte edhe me datën 5.të këtij muaj. Me kohë më lajmëroi se në ora dhjet do ishte te hotel “Pashtriku” në Gjakovë, dhe dëshironte të pimë kafenë e këtij vikendi së bashku, ndonëse udhëtonte për në Pejë-Rugovë, në një aktivitet letrarë, ku ishte i ftuar për kumtesë. Nuk ishte vetëm, si zakonisht, ”përcillej” në shoqëri e miqësi nga Lulash Gjeloshi, Vuksan Ndecvataj, Lulash Brigja.
Pas përqafimeve me rastin e takimit, filluam me porosi të kafeve pastaj me komoditetin e bisedës me kafe e llafe, e cila me shkodranet, Gjakovës përherë i ka shkuar mbarë gjatë gjithë historisë sonë. Janë rrënjë të thella këto llafe. Mençuria si rivalitet i këtyre dy qyteteve të motërzuara nga gjaku, përmenden edhe në libra me barsoleta të shumta.
Pas kafeve, me kënaqësinë e veçantë që ishim së bashku,miku im,Ndue Sanaj, më dhuroi dy libra voluminoze ku pamja e librit të bënte të kuptosh vlerën e saj,një përgatitje e botim shumë elegant. Libri “Dukagjini-2” me autor Ndue Sanaj, ka trajtesë të mirëfilltë shkencore historinë dukagjinase, ndërsa libri “Kiri” (historia, njerëzit ,bukuritë natyrore),një monografi ku trajtohet një variant i historisë së Kiri dhe mbiemri Bezhani nëpër shekuj. Ky libër më gëzoj pa masë, nga se historia e këtij mbiemri, është mjaft heterogjene në hapësirat e trojeve tona shqiptare. Gjithmonë më ka ngacmuar ideja të di më shumë për këtë mbiemër tepër i rëndësishëm në çdo aspekt të kuptimit të fjalës. Ka edhe variante tjera nga Shqipëria e Jugu, Mirëdita, rrethi Shkodrës, por ja, se na del edhe varianti nga Peja, (Berzhenik-u).
Falënderoj autorët për librat e dhuruar me peshë të veçantë dhe i përgëzoj për punën e tyre me vlerë shkencore.
Sa të rëndësishme janë takimet mes krijuesve vëllezër gjithandej trojeve tona? Ndriçimi i shume e shumë aspekteve të paditura, të pazgjidhura, bëhen vetëm duke bashkëpunuar e bashkëbiseduar sinqerisht me njëri tjetrin. Respekt miqve nga Shkodra!