Ballina Ravijëzime Banka Biologjike e Britanisë premton të mbrojë biodiversitetin e planetit

Banka Biologjike e Britanisë premton të mbrojë biodiversitetin e planetit

 

Banka e parë biologjike e Britanisë ka marrë mbi vete një mision madhor: të mbrojë biodiversitetin e rrezikuar të planetit. Një raport i fundit i OKB-së thotë se 1 milion specie bimësh e kafshësh të planetit tonë kërcënohen të zhduken. Katalogu me mostra biologjike i krijuar në Skoci ofron shpresë për të mbrojtur speciet e rrezikuara nga zhdukja.

Bibliotekës së gjallesave i shtohet një titull i ri. Në Qendrën e Koleksionimit në Edinburg, punjësit po katalogojnë një mostër biologjike të ketrit të kuq. Prej dekadash numrat e tyre kanë qenë në rënie, por me ndihmën e mbrojtësve të diversitetit, po regjistrohen të dhënat biologjike të kësaj specieje.

Mostra që merret mbahet në temperatura që arrijnë -80 gradë celcius, së bashku me mijëra mostra të tjera në bankën e parë biologjike të Britanisë.

“Mbledhja e mostrave po bëhet gjithnjë e më e vështirë sepse është vështirësuar qasja tek këto kafshë, por edhe sepse ka rënë numri i ekzemplarëve nga këto specie,” thotë studiuesja Gill Murray-Dickson.

Shkencëtarja Murray-Dickson shpjegon se ruajtja e këtyre mostrave bëhet me shpresën se përmes analizimit të tyre shkencëtarët do të dalin me mënyra më të suksesshme për mbrojtjen e specieve.

“Për të garantuar shanset më të mira për mbrojtjen e një specieje duhet të mbledhim mostra me cilësi sa më të lartë. Cilësia e lartë e mostrave dhe informacionit do të ndihmojë studiuesit tani dhe në të ardhmen,” thotë zonja Murray-Dickson.

Deri tani janë mbledhur rreth 8000 mostra që përfaqësojnë mbi 1000 specie, ndër to edhe rinoceronti i rrezikuar i Sumatrës dhe macja e egër skoceze, që kanë secila më pak se 100 ekzemplarë në natyrë.

“Me kalimin e kohës, duke vazhduar të mbledhim më shumë mostra, shpresojmë të ofrojmë përgjigje për shumë pyetje lidhur me menaxhimin më të mirë të popullatave në natyrë, ndoshta duke e shtuar popullatën me ekzemplarë të lindur nën kujdesjen e njeriut, si dhe mbikqyrjen e specieve që janë në rrezik,” thotë shkencëtarja Helen Senn.

Një raport i fundit i OKB-së thotë se 1 milion specie bimësh e kafshësh të planetit tonë kërcënohen të zhduken. Raporti thotë se aktiviteti i njeriut po e bën Tokën një planet gjithnjë e më të vështirë për jetën përmes ndryshimeve klimatike, humbjes së biodiversitetit dhe ndotjes.

Shkencëtarët thonë se banka e biodiversitetit nuk mund të rikthejë speciet e zhdukura, por ndihmon për të identifikuar problemet që kërcënojnë zhdukjen në të ardhmen të specieve të tjera duke i dhënë florës dhe faunës ekzistuese shansin më të mirë për mbijetesë.