Ballina Ravijëzime Punonjësit e “Apple” refuzojnë kthimin në zyra

Punonjësit e “Apple” refuzojnë kthimin në zyra

 

Punonjësit e gjigantit amerikan të teknologjisë, “Apple”, kanë nisur një fushatë për moskthimin e tyre në zyrat e punës.

Kjo vjen pasi  shefi i tyre Tim Cook  u ka dërguar nje letër punëtorëve, me kërkesën që të kthehen në zyra së paku tri ditë në javë, nisur nga Shtatori.

Por, sipas një letre të brendshme, të siguruar nga ueb-faqja e lajmeve “The Verge”, stafi kërkon më shumë fleksibilitet, duke ua lënë individëve të vendosin nëse duan të punojnë nga shtëpia apo të dalin në zyrë.

“Gjatë vitit të kaluar, ne shpesh ndiheshim jo vetëm të padëgjuar, por ndonjëherë edhe të injoruar”, thotë letra, e cila e akuzon menaxhimin për një “shkëputje” me punonjësit, sa i përket  punës në distancë.

Shumë kompani e kanë bartur punën në shtëpi Pranverën e vitit të kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit. Me rënien e infektimeve në disa pjesë të botës ka nisur të rritet edhe numri i punonjësve që kthehen në zyra.

Gjiganti i kërkimeve në internet “Google” tashmë i ka kërkuar stafit që të kthehet në zyra tre ditë në javë, nisur po ashtu nga Shtatori. Por, gjigantët e tjerë të teknologjisë kanë një qasje më të relaksuar.