Ballina Aktualitet Orban: Shqipëria të arrijë anëtarësimin pa parakushte të tjera

Orban: Shqipëria të arrijë anëtarësimin pa parakushte të tjera

 

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të homologut të tij, Viktor Orban. Në fund, mes të dyve ka pasur nga një deklaratë të përbashkët për shtyp. Fokusi i bisedave mes tyre ka qenë anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Orban tha se Hungaria është e përkushtuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE pa kushte të tjera.

“Ajo çfarë është më e rëndësishmja është çështja kryesore që është zgjerimi i Bashkimit Europian dhe anëtarësimi i Shqipërisë. Ne hungarezët ,jo vetëm jemi mbështetës, por jemi mjaft të angazhuar e të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, jo vetëm sepse kjo motivohet nga simpatia jonë, por sepse motivohet dhe nga interesi ynë. Jemi të bindur që pa ofruar mundësi anëtarësimi për këtë pjesë të kontinentit europian, nuk mund të stabilizohemi, qoftë sa i takon ekonomisë, por dhe aspektit politik në atë pjesë. Pra, Shqipëria do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen tonë europiane. Më pas u konsultuam dhe negociuam për çështjet ekonomike. Jemi mjaft të lumtur që ishim në gjendje të gjejmë atë projektin kryesor që është banka OTP, që në fakt u mirëprit nga qeveria shqiptare për të nisur veprimtarinë në Shqipëri. Pra, kemi investimin e parë të madh në Shqipëri dhe mësimi që kemi nxjerrë gjatë gjithë këtyre viteve është që projekti kryesor i parë është i rëndësishëm e kur vjen anija e parë, të tjera anije shfaqen në ujë e do të kemi dhe investues të tjerë, të cilët do të jenë të pranishëm në vend. Ky ishte kuadri i takimit. Do të doja të theksoja edhe një herë, që është mesazh politik sot, që Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe Hungaria do të bëjë maksimumin”, tha Orban.

Kryeministri Rama tha se i ka kërkuar mbështetje dhe ndihmë Orbanit për rrugëtimin e zhvillimit, modernizimit dhe të integrimit të Shqipërisë.

“Ishte jo vetëm kënaqësi, por ishte një nder që të isha mik i Kryeministrit sot dhe të kisha mundësi që të shkëmbeja me të pikëpamje për temat që përmendi Kryeministri. Por, së pari e mbi të gjitha, për t’i kërkuar mbështetje dhe ndihmë në rrugëtimin e zhvillimit, modernizimit, si dhe të integrimit. Në këndvështrimin tonë, Hungaria është një vend ku ka shumë dije, ku ka përvoja të pabesueshme, mbresëlënëse, transformuese, ku ka shumë për të mësuar. I jam shumë mirënjohës Kryeministrit për disponibilitetin e tij bujar për të na dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme, për të pasur këtë transferim të dijes, sepse duam të bashkëpunojmë jo vetëm në aspektin dypalësh ekonomik, por gjithashtu dhe në atë kulturor dhe në arsim. Atë çka Hungaria ka bërë gjatë viteve të fundit për të përmirësuar arsimin, për të mbështetur të rinjtë e talentet, për të inkurajuar familjet që ta shohin të ardhmen e vet me sa më shumë shpresë, është frymëzuese. Jam edhe njëherë mirënjohës dhe pres me padurim që të përforcojmë këtë bashkëpunim”, tha kreu i qeverisë.

Por mes kryeministrave është folur edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama nuk la pas batutat duke thënë se, “Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t”

“Po i afrohemi 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Duam që ta festojmë bukur dhe të kemi një jubile politik të rrethuar me kulturë”, tha Orban.

“Siç e tha Kryeministri, miqësia jonë është e vjetër tashmë, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë”, u shpreh Rama.

Orban përgëzoi Ramën edhe për fitimin 3 herë radhazi të zgjedhjeve.

“Vizita e tij është një vlerësim i madh për Hungarinë duke qenë sidomos sepse është kryeministër që ka fituar 3 herë zgjedhjet. 3 zgjedhje të njëpasnjëshme është diçka e jashtëzakonshme në politikën europiane, sidomos nëse lufta politike është e fortë. Dua të të përgëzoj për suksesin dhe fitoren tuaj”, u shpreh Orban.