Ballina Aktualitet Europa përballet me kaos në aeroporte si pasojë e kontrolleve shëndetësore të...

Europa përballet me kaos në aeroporte si pasojë e kontrolleve shëndetësore të Covid-19

 

Shoqatat e Udhëtimeve Ajrore kanë thënë se i trembet kaosit që krijohet gjatë sezonit të pushimeve verore të Europës, pasi udhëtarëve mund t’u duhet të presin me orë të tëra përpara se të nisen dhe kjo për shkak të kontrolleve shëndetësore të Covid.

Në shumicën e aeroporteve europiane ekzistojnë kontrolle të rrepta Covid.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) raporton se njerëzit që do të udhëtojnë në pikun e sezonit, do të kalojnë mesatarisht tre orë në aeroporte, dy herë më shumë sesa vonesat para pandemisë së Covid-19.

Ky është realiteti i ri: Linjat ajrore tani janë të detyruara të kontrollojnë rezultatet e testit Covid të udhëtarëve, temperaturën dhe dokumente të tjera shëndetësore. Koha e pritjes është rritur edhe pse vëllimi i trafikut ajror është “vetëm rreth 30 për qind e niveleve para-Covid-19”, raportoi IATA.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) paralajmëroi se koha e kaluar në aeroporte mund të shkojë në 5 orë e 30 minuta nëse vëllimi i trafikut ajror do të arrijë në 75 për qind të nivelit të tij para-pandemik, dhe madje edhe më gjatë “pa përmirësime të procesit”.

Vonesa deri në 8 orë

Nëse vëllimi i trafikut ajror do të kthehet plotësisht në nivelet para pandemisë, IATA thekson se udhëtarët mund të kalojnë deri në tetë orë pritje përpara se të nisen për në destinacionet e tyre përkatëse.

Eurocontrol, organizata përgjegjëse për sigurinë e lundrimit ajror në kontinentin europoian, parashikon se niveli i udhëtarëve në muajin gusht pritet të arrijë ndërmjet 46 dhe 69 për qind, krahasuar me nivelet e gushtit të 2019, por gjithmonë edhe në varësi të ecurisë së krizës në dy muajt e ardhshëm.

Certifikata dixhitale Covid e BE-së, që tregon nëse një udhëtar është vaksinuar, ka imunitet nga një infeksion i mëparshëm ose ka bërë një test për koronavirusin, do të jetë në dispozicion nga 1 korriku në një përpjekje për t’i lehtësuar procedurat e udhëtimit brenda bllokut prej 27 shtetesh.

“Niveli i pasigurisë dhe kompleksitetit në këtë fazë është vështirë për t’u kuptuar”, tha Drejtori i Përgjithshëm i ACI Europe, Olivier Jankovec, shoqata e të cilit përfaqëson 500 aeroporte në kontinent.

“Por me çdo dite që po kalon, perspektiva e udhëtarëve që do të përballen me një kaos të madh në aeroporte gjatë kësaj vere po bëhet gjithnjë e më e vërtetë”.

Verifikimi i testeve Covid, formularët e vendndodhjes së udhëtarëve dhe dokumentet e karantinës “ndryshojnë në varësi të vendeve të tyre të origjinës dhe destinacionit për ku janë nisur”, theksoi ACI Europe.

Në Francë, policia kufitare tani kontrollon në mënyrë sistematike dokumentet e identitetit, madje edhe për ata që udhëtojnë brenda zonës së Shengenit (ku nuk duhet pasaporta) dhe ajo që e vështirëson më shumë këtë proces është fakti se makineritë që e bënin kontrollin automatikisht nuk janë funksionale.

“Në krye të listës sime të prioriteteve që përbëjnë shqetësim, janë bisedimet me Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që kjo verë të mos shndërrohet në një për sa i përket vonesave të udhëtarëve” tha Augustin de Romanet, kreu i grupit të aeroportit të Parisit, ADP.

Një person i brendshëm i kësaj industrie ka deklaruar se paralajmërimet e kaosit të mundshëm në aeroporte janë të ekzagjeruara, duke thënë se “ADP dhe linjat ajrore po japin një alarm të tillë për të bërë presion mbi qeverinë franceze, në mënyrë të tillë që të lehtësojnë kontrollet në aeroporte. /RFI