Bashkimi Evropian të enjten shpalli planet për krijimin e një portofoli dixhital për dokumentet e identifikimit, ku do të ruhen të gjitha dokumentet zyrtare që do t’u duhen banorëve për t’i lejuar ata të kenë qasje në këto informacione në shtëpi ose kudo në bllokun e 27 vendeve.
Në një konferencë për shtyp mbi këtë propozim në Bruksel, Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager tha se Portofoli Dixhital Evropian i Dokumenteve të Identitetit do të jetë një aplikacion për telefonat inteligjentë që do të lejonte përdoruesit të ruanin forma elektronike të identifikimit dhe dokumente të tjera zyrtarë, si patentat e shoferit, recetat e ilaçeve dhe diplomat e shkollës.
Zonja Vestager tha se plani do t’u mundësojë 450 milionë banorëve të BE-së të bëjnë gjithçka nga shtëpitë e tyre, të marrin apartamente me qera, të hapin një llogari bankare, në çdo vend anëtar të bllokut. Megjithatë, ajo shtoi se plani nuk do të jetë i detyrueshëm dhe se qytetarët mund të vendosin mbi sasinë dhe llojin e informacionit që duan të ngarkojnë në aplikacion.
Ajo tha se puna teknike tashmë është duke u zhvilluar për t’u siguruar që aplikacioni të ketë në dispozicion teknologjinë më të fundit të kodimit dhe të mos mund të hakerohej.
14 vende të BE-së tashmë kanë sistemet e tyre kombëtare të identitetit dixhital dhe zyrtarët e BE-së thonë se aplikacioni po zhvillohet për t’u përshatur me ato sisteme. Komisioni planifikon të diskutojë portofolin dixhital me 27 vendet anëtare të BE-së dhe synon arritjen e një marrëveshje mbi detajet teknike deri në vjeshtë në mënyrë që projektet pilot të fillojnë.
Propozimi është pjesë e një plani më të gjerë të BE-së për dixhitalizimin e më shumë shërbimeve si dhe një element kryesor i paketës së rimëkëmbjes pas pandemisë së Covid-19. Blloku ka vendosur një objektiv për të pasur të gjitha shërbimet publike në BE të disponueshme në internet deri në vitin 2030 dhe për t’u siguruar që çdo qytetar i BE-së të ketë një dosje mjekësore dixhitale.