Sa vlen Euro 2020? Vetëm tetë ditë na ndajnë nga fillimi i Kampionatit Europian, i cili u shty për në vitin 2021, për shkak të emergjencës së koronavirusit, që preku edhe botën e futbollit vitin e kaluar.
Pikërisht Covid-19 ndikoi – ndër të tjera – edhe në reduktimin e shpërblimeve që do të ndajnë mes tyre 24 ekipet kombëtare pjesëmarrëse.
UEFA – shkruan La Gazzetta dello Sport – do të shpërndajë në total 331 milionë euro, rreth 30 milionë më shumë krahasuar me shifrën e edicionit 2016. Gjithsesi bëhet fjalë për një shifër rekord, por më e ulët krahasuar me 371 milionë euro të parashikuara fillimisht.
Sa vlen EURO 2020 – Shifrat që nga viti 1996
Nëse kthehemi pas në kohë në vitin 1996, kur 16 finalisteve iu shpërndanë 55 milionë euro – kuptojmë se futbolli është rritur me ritme të çmendura në 25 vitet e fundit. Këto janë shifrat e shpërndara në kompeticionet e fundit
• Angli 1996 – 51 milionë euro
• Belgjikë -Holandë 2000 – 76 milionë euro
• Portugali 2004 – 130 milionë euro
• Austri-Zvicër 2008 – 184 milionë euro
• Poloni-Ukrainë 2012 – 196 milionë euro
• Francë 2016 – 301 milionë euro
• EURO 2020 – 331 milionë euro
Kombëtarja që do të fitojë Kompeticionin do të fusë në arkat e veta minimumi 26.5 milionë euro, të cilat mund të arrijnë në 28 milionë nëse fitojnë tre ndeshjet në grup.
Sa vlen Euro 2020, nga çmimet te faza e grupeve te faza finale
Çdo fitore në grup vlen 1 milion, çdo barazim, gjysmë milion. Faza e një të tetave vlen 1.5 milionë, çerekfinalet 2.5 milionë dhe gjysmëfinalet 4 milionë. Nëse ekipi arrin në fazën finale siguron 5 milionë, ndërsa nëse shpallet kampion, shtohen edhe 3 milionë.
Ai që fiton gjithë ndeshjet e grupit arrin në 28,25 milionë (në 2016, Portugalia kampione fitoi 25.5 milionë).
Nga viti 1996 e deri më sot, Italia ka fituar 71 milionë (duke përfshirë edhe kualifikimin në 2021). Vetëm katër kombëtare kanë fituar më shumë: Portugalia (85,7 mln), Spanja (80,7 mln), Gjermania (78,2 ml) dhe Franca (74,6 mln).