Ballina Bota Danimarka do të mund të krijojë qendra azili jashtë Evropës

Danimarka do të mund të krijojë qendra azili jashtë Evropës

 

Parlamenti i Danimarkës ka miratuar të enjten një ligj që i mundëson shtetit të krijojë qendra të azilit në vendet jashtë Evropës, ka raportuar agjencia e lajmeve Ritzau.

Migrantët që aplikojnë për azil në Danimarkë, mund të dërgohen në vendet tjera dhe do të presin nga atje rezultatet e aplikacionit, është thënë në legjislacionin e ri.

Dokumenti është miratuar nga Social-Demokratët në pushtet dhe kryeministrja Mette Frederiksen, por ai është mbështetur edhe nga një parti liberale gjatë votimit.

Deri më tani, Danikarka besohet të ketë diskutuar për këtë çështje me Ruandën, Tunizinë, Etiopinë dhe Egjiptin.

Megjithatë, ende nuk ka plane konkrete për ndërtim të këtyre qendrave të pranimit. Kontratat me shtetet tjera duhet të miratohen në parlament.

Edhe për migrantët që besohet se kanë nevojë për azil, nuk do të jetë me domosdo shkuarja në Danimarkë më pas.

Atyre që u garantohet azili, mund të qëndrojnë në vendin prej nga kanë aplikuar, apo të dërgohen në një kamp për refugjatë të Kombeve të Bashkuara.

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara UNHCR ka kritikuar më parë këtë plan të Danimarkës.

“Transferimi i procesit të azilit dhe mbrojtja e refugjatëve në një shtet tjetër jashtë Evropës, nuk është zgjidhje e qëndrueshme – dhe do të jetë në kundërshtim me parimet në të cilat bazohet bashkëpunimi ndërkombëtar për refugjatët”, ka thënë Henrik Nordentoft, përfaqësues i UNHCR-së për vendet baltike.

Ai po ashtu ka thënë se shqetësohet që ky plan mund të prodhojë efektin domino.