Drejtori i Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Afrika CDC) dr. John Nkengasong u bëri thirrje vendeve të G7 që të parandalojnë padrejtësinë në furnizimin e vaksinave kundër koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Dr. Nkengasong, i cili drejton luftën kundër COVID-19 në kontinent, në një konferencë për media nëpërmjet internetit preku problemet lidhur me furnizimin e vaksinave kundër COVID-19 në të gjithë Afrikën.
“Problemet e përjetuara në qasjen për vaksinën ndikojnë negativisht ndaj ekonomisë”, theksoi Nkengasong, i cili u bëri thirrje vendeve të G7 që të parandalojnë këtë situatë.
“Askush nuk është i sigurt për sa kohë që nuk janë të sigurt të gjithë”, tha ai duke shtuar se bashkëpunimi duhet të jetë jo vetëm për Afrikën por për sigurinë shëndetësore e të gjithë botës.
Në Samitin e G7 i cili do të mbahet më 11 qershor në organizim të Britanisë së Madhe, Afrika do të përfaqësohet nga presidenti i Republikës Afrikës së Jugut, Cyrill Ramaphosa.
– Vdekjet me burim virusin kanë tejkaluar 131 mijë
Në Afrikën Sub-Sarariane, e cila për shkak të konkurrencës globale për vaksinat nuk ka mundur të ketë qasje në sasi të mjaftueshme të vaksinës kundër COVID-19, ka shkuar në 3 numri i vendeve ku janë aplikuar 1 milion doza të vaksinës.
Krahas pamjaftueshmërisë për sigurimin e vaksinave në Afrikën Sub-Sarariane, ku jetojnë rreth 1.1 miliardë njerëz, theksohet se popullata në disa vende nuk dëshiron të marrë pjesë në fushatën e vaksinimit.
Sipas faqes së internetit “Worldometers”, e cila përpilon të dhënat mbi pandeminë, numri i rasteve në gjithë kontinentin është rritur në 4.910.788 ndërsa numri i të shëruarve në 4.426.237. Si pasojë e virusit numri i të vdekurve ka arritur në 131.636.
Shifra më e madhe e rasteve në kontinent është regjistruar në Republikën e Afrikës së Jugut, Marok, Tunizi, Etiopi, Egjipt dhe Libi.
Ndërkohë numri më i madh i vdekjeve lidhur me virusin është regjistruar në Republikën e Afrikës së Jugut, Egjipt dhe në Tunizi.