Ballina Aktualitet SHBA dhe Kina diskutojnë për rimëkëmbjen ekonomike globale

SHBA dhe Kina diskutojnë për rimëkëmbjen ekonomike globale

 

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen ka zhvilluar një takim virtual me zv/kryeministrin e Kinës, Liu He, për të diskutuar për rimëkëmbjen ekonomike globale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departmenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi se sekretarja Yellen diskutoi planet e administratës së presidentit Joe Biden dhe zv/presidentes Kamala Harris “për të mbështetur një rimëkëmbje të vazhdueshme të fortë ekonomike dhe për rëndësinë e bashkëpunimit në fushat që janë në interesin e SHBA-së si dhe në të njëjtën kohë për trajtimin e sinqertë të çështjeve shqetësuese”.

Takimi virtual vjen pasi javën e kaluar zv/kryeministri Liu bisedoi me përfaqësuesen e tregtisë së SHBA-së, Katherine Tai, për herë të parë që kur presidenti Biden mori detyrën.

Megjithatë, dy ekonomitë më të mëdha në botë akoma kanë mosmarrëveshje tregtare që filluan gjatë mandatit të ish-presidentit Donald Trump. Të drejtat e pronësisë intelektuale, transferimi i teknologjisë dhe teknologjia 5G kanë mbetur çështje të pazgjidhura midis dy vendeve.

Midis pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), ekonomia amerikane në vitin 2020 u tkurr me 3.5 për qind, një rënie më e rëndë e SHBA-së që nga viti 1946. Ekonomia kineze u rrit me 2.3 për qind vitin e kaluar, duke u bërë e vetmja ekonomi e madhe që regjistroi rritje pavarësisht bllokimeve kundër pandemisë.

Pasi u lëshuan rreth 5 trilionë dollarë brenda një viti për të mbështetur ekonominë, dollari amerikan është dobësuar kundrejt monedhave kryesore. Nga ana tjetër, juani kinez është në nivelin më të lartë ndaj dollarit, gjë që e bën më të shtrenjtë për SHBA-në të importojë mallra në Kinë.