Ballina Aktualitet Palmer: Njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi, rruga drejt integrimeve evropiane

Palmer: Njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi, rruga drejt integrimeve evropiane

 

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, tha të martën në Prishtinë se për Shtetet e Bashkuara, synimi kryesor në bisedimet Kosovë – Serbi është një marrëveshje që do të çojë në njohjen e ndërsjellë, e cila hap rrugën për integrimin evropian të të dyja vendeve.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me gazetarë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të vizitës së përbashkët në Prishtinë.

Started day 2️⃣ with a useful working breakfast with the international community in Kosovo together with my good friend DAS Matt Palmer, who is joining me for this visit. As always, a very good overview about their activities on the ground. pic.twitter.com/a0IU1aU1pK

— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 1, 2021

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është përgatitja e takimit të parë të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, që do të mbahet për pak ditë”, tha zoti Lajçak, pa saktësuar datën e këtij takimi që është paralajmëruar për mesin e muajit qershor.

Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm bisedimet ndërmjet palëve.

“Synimi i bisedimeve është normalizimi i plotë i marrëdhënieve. Për Shtetet e Bashkuara synimi është njohja e ndërsjellë që do të hap rrugën për anëtarësimin e Serisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha zoti Palmer.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

Zoti Plamer tha se nuk u takon Shteteve të Bashkuara dhe as Bashkimit Evropian që të përcaktojnë cilat do të jenë kompromiset e domosdoshme por u takon palëve dhe se trysnia mbi palët qëndron në dëshirat dhe ambiciet e tyre për të ecur në rrugën evropiane.

“Kjo do të kërkoj trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve dhe kjo besoj se krijon nxitjen për palët që të trajtojnë sfidat dhe të identifikojnë kompromiset e domosdoshme dhe të hapin rrugën përpara me lehtësimin e zotit Lajçak dhe ekipit të tij dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Palmer.

Dy të dërguarit u takuan gjatë vizitës në Prishtinë me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve dhe partive politike dhe përgjatë takimeve, roli amerikan është cilësuar i domosdoshëm për një marrëveshje të qëndrueshme.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në procesin e bisedimeve, por jemi partnerë në këtë proces. Jemi të angazhuar në mënyrë aktive duke punuar me Beogradin e Prishtinën, duke punuar me zotin Lajcak dhe ekipin e tij në mbështetjen e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë. Kjo është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të mbështetur dhe çuar përpara synimin për integrimet euroatlantike për gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha zoti Palmer.

Ndonëse zhvilluan takime të ndara e të përbashkëta, vizita e diplomatëve Palmer dhe Lajçak shihet si një mesazh i bashkërendimit transatlantik i munguar në të kaluarën e afërt.

“Jam i kënaqur të them se bashkëpunim transatlantik mbi bisedimet dhe Ballkanin Perëndimor është i shkëlqyeshëm”, tha zoti Lajçak, duke theksuar se ky vit ka “potencial që të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor”.

Kosova, Serbia dhe katër vendet tjera të rajonit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Mali i Zi aspirojnë Bashkimin Evropian por ndodhen në faza të ndryshme të proceseve integruese. Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje të hapjes së kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të fillimit të negociatave. Por, çështja ka ngecur në kundërshtimin e Bullgarisë për hapjen e negociatave me Shkupin dhe kjo ka bërë që të pësojë edhe Shqipëria, e cila ka përparuar në rrugën e saj së bashku me Maqedoninë e Veriut.

Kosova është e fundit në proces dhe përparimi i saj varet nga përparimi i bisedimeve me Serbinë e cila ndonëse favorite, nuk mund të përmbushë synimet integruese pa marrëveshje me Kosovën.