Ballina Aktualitet Të dërguarit e SHBA dhe BE-së javën tjetër në Kosovë për bisedimet...

Të dërguarit e SHBA dhe BE-së javën tjetër në Kosovë për bisedimet me Serbinë

 

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të qëndrojnë në fillim të javës në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve.

Rifillimi i tyre është paralajmëruar për mesin e muajit qershor dhe do të shënojë rastin e parë të takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Vizita e përbashkët e zotit Palmeri dhe zotit Lajçak shihet si një mesazh i bashkërendimit transatlantik lidhur me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Dy ditë më parë të dy zyrtarët e ngarkuar edhe me çështjet e Ballkanit Perëndimor u takuan në Bruksel.

Happy to welcome my good friend Matt Palmer in Brussels today. It comes as no surprise that we spoke about the Western Balkans and the Dialogue. pic.twitter.com/0BwmAwe7Hd

— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) May 26, 2021

Një bashkërendim i tillë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sipas vezhguesve, pritet të shtohet me administratën e presidentit amerikan Joe Biden, i cili u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje që do të kishte në qendër njohjen e ndërsjellë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Paralajmërimet për rifillimin e bisedimeve tashmë dhjetëvjeçare, që njohën periudha ndërprerjesh u përcollën me debate rreth disa dokumenteve joformale për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor që përfshijnë edhe ide për ndryshime kufijsh.

Idetë e tilla u kundërshtuan nga Bashkim Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.