Përjashto Bayern Munchen, që shkoi në 9 tituj radhazi në Bundesliga, rekord në Gjermani, në shumë liga europiane pati kampionë të rinj, duke thyer hegjemoninë e të mëdhenjve. Duke iu referuar ligave kryesore, 5 skuadra janë shpallur kampion pas shumë vitesh, si Inter në Itali, ku theu dominimin 9-vjeçar të Juventusit, teksa ngriti trofeun e kampionatit për herë të 19-të në historinë e vet. Interit i mungonte prej 11 vitesh ky trofe, më saktë që nga sezoni i magjishëm i tripletës me Mourinhon në pankinë, 2009-2010.
Në La Liga-n spanjolle është Atletico Madrid që u kurorëzua kampion i Spanjës pas 7 vitesh mungesë, që nga sezoni 2013-2014. Në Francë është Lille kampionia më e re e Ligue 1, teksa lë pas kampionët e PSG-së në renditje. Skuadra e Lille nuk e fitonte kampionatin prej 10 vitesh, që nga sezoni 2010-2011.
E njëjta situatë edhe në Skoci, ku Rangers u shpall kampion pas 10 vitesh duke prishur ecurinë e Celtic, teksa hera e fundit ku skuadra e njohur skoceze ngrinte trofeun e kampionatit ishte sezoni 2010-2011.
Sportigu i Lisbonës gjithashtu arriti të shpallet kampion i Portugalisë pas 19 vitesh mungesë që nga sezoni i largët 2001-2002. Pavarësisht se nuk u shpall kampion, nuk lihet pas dhe rikthimi i Milanit në Champions, ku mungonte prej 7 vitesh.