Ballina Sport Batatina: Historinë e parë e bëra në Kosovë, e dyta do të...

Batatina: Historinë e parë e bëra në Kosovë, e dyta do të jetë në Evropë

 

Në një intervistë për KosovaPress, trajneri Batatina shpjegoi rrugëtimin e tij te vështirë deri tek triumfi i këtij trofeu, arsyen pse është në timonin e Llapit dhe po ashtu tregoi se çfarë pritet nga Llapi për sezonin e ri 2021/22.

Fillimisht, Batatina tregoi se çka e shtyu që të ushtroj detyrën e trajnerit, ku pavarësisht kohës si futbollist, ambiciet e tij që të bëhet trajner nuk ishin shuar kurrë.

Batatina: Synimi im ka qenë që karrierën si trajner ta filloj pikërisht tek skuadra e Llapit.

“Ambiciet e mia, gjithmonë ka qenë synimi im që në momentet e caktuara kur do ta përfundoj studimin para-universitar, shkollën e mesme, të jem pjesë e studimeve universitare në shkencat sportive. Një gjë të tillë e kam bërë edhe pse në atë kohë ishte në kushte të vështira, por Batatina si gjithmonë ka bërë shumë për futbollin. Kam qenë nxënës edhe në shkollën e mesme, i jashtëzakonshëm në aspektin e futbollit , por kushtet e vështira ma kanë pamundësuar që të jem një prej lojtarëve më të mirë në Ligën e Kosovës, si një qendërmbrojtës që kam luajtur, por prapë ambiciet e mija asnjëherë nuk janë shuar që në të ardhmen të jem një trajner i ndonjë skuadre të futbollit, por pikërisht synimi im ka qenë të filloj karrierën time tek Llapi”, tha Batatina.

Batatina tregoi arsyen qe fshihet pas marrjes se timonit të Llapit, ku edhe shprehu admirim të madh për legjendën e futbollit kosovar Fadil Vokrri, duke e cilësuar atë si lojtarin e preferuar te tij.

Batatina: Fadil Vokrri ka qenë gjithmonë lojtari im i preferuar, sa i përket trajnerëve Fergusoni më ka pëlqyer shumë.

“Po mendoj që sa i përket fëmijërisë, gjithmonë e kam dashtë Llapin si skuadër, edhe në atë kohë, edhe pse nuk kishte ndoshta rezultate shumë të mëdha, por e kam dashtë gjithmonë. Lojtari im i preferuar gjithmonë ka qenë Fadil Vokrri, për arsye që si fëmij jam rritur me Fadil Vokrrin, me golat e Fadil Vokrrit, gjithmonë e kam dashtë Fadil Vokrrin. Ndërsa sa i përket trajnerëve, gjithmonë Fergusoni më ka pëlqyer si trajner. Alex Ferguson, një trajner i cili ka karakter dhe një vizion, dhe gjithmonë jam munduar të bëjë të pamundurën që edhe unë një ditë të jem një prej trajnerëve që do të kem sukses, dhe të arrijë kulmet e trajnerit si në pjesën vendore, por pse jo edhe në atë ndërkombëtare”, tha trajneri llapjan.

Në sezonin 2013/14, Tahir Batatina edhe zyrtarisht e morri detyrën e trajnerit tek skuadra e Llapit, ku në këtë interviste për KosovaPress tregoi edhe objektivat që kishte pasur që nga ai sezon e deri më tani.

Batatina: Gjithmonë synimi im ka qenë që t’i arrij objektivat e mija, dhe sigurisht ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë.

“Viti i parë i imi ka qenë riorganizimi i skuadrës së Llapit në Ligën e Parë. Ndërsa pas atij riorganizimi të mirë të cilin e kisha pas pa ndonjë ambicie që të rikthehem në Superligë, kam qenë pjesë e “Play-off” ku në ndeshjen e barazhit kemi pësuar humbje nga Trepça në Prishtinë. Vitin e dytë, do të thotë veçse organizimin e klubit e kam bërë të jashtëzakonshëm, dhe do të thotë jam inkuadruar në Superligë me një diferencë prej 14 pikëve larg vendit te dytë. U inkuadruam në Superligë dhe pastaj filluam të mendojmë që të jemi sa më lartë në tabelë. Arritëm qëllimin që të jemi në tre pozitat e para gjithmonë. Kemi qenë edhe nën-kampionë vjeshtor. Pastaj në vitin 2016/17 ishim edhe pjesë e finales prapë të Kosovës si skuadër, si ekip. Vitin 2018/19 kemi qenë afër të marrim titullin e kampionit , ku vetëm në xhiron e tretë është vendos mes Llapit dhe Prishtinës në Prishtinë, ku aty është humb edhe nuk kemi arritur që të marrim titullin. Gjithmonë Llapi ka synuar pozitat e para. Ka qenë një rruge jo e lehtë, ka qenë rrugë shumë e vështirë për t’ia arritur objektivit, por mbi të gjitha këmbëngulësia ime ka qenë që do t’ia arrijë objektivave”, tha Batatina.

Këtë sezon, Batatina së bashku me skuadrën e Llapit veçse arritën që të përmbushin një nga synimet e tyre, ku edhe e fituan trofeun e parë në histori të klubit, ndërsa për Batatinën kjo ndjenjë ishte tejet e madhe, dhe emocionuese.

Batatina: Trofeu i parë, ndjenjë shumë e madhe, tash edhe qyteti po frymon me një trofe.

“Po mendoj që është një ndjenjë shumë e madhe, pikërisht ndjenja ma e madhe për mua dhe për qytetin është se është trofeu i parë. Trofeu i parë kur sillet në skuadër, mendoj qe është trofeu më emocionues, është trofeu, do të thotë me vlerën më të madhe, dhe mendoj që do të thotë një trofe i cili nuk ka asnjë vlerë monetare që mund ta blej, një trofe të cilin tash Llapi e ka në zyret e veta dhe tash qyteti frymon me një trofe”, u shpreh Batatina.

Pas një sezoni që mund të quhet i suksesshëm për skuadrën llapjane, Batatina tregoi edhe objektivat kryesore që skuadra e tij do të ketë për sezonin e ardhshëm 2021/22.

Batatina: Do të kërkoj organizim më të mirë nga skuadra, dhe do të synoj që ta bëj historinë me Llapin në garat evropiane.

“Po mendoj, së pari objektivat tona kanë me qenë që tash të organizohemi mirë, dhe ta bëj historinë me Llapin ne Evropë. Historinë e parë me Llapin e kam bërë në Kosovë, por historinë e dytë do ta bëjmë me Llapin në Evropë. Kam kërkuar nga lojtarët që me pamjen që e kam pas, menjëherë do të thotë pas përfundimit të ndeshjes, kam kërkuar që gjithmonë të bëjmë maksimumin, e kemi bërë një histori, dhe ju jeni pjesë e historisë, ju jeni pjesë e djemve që do të mbaheni në mend, dhe do të shkruhen emrat e juaj me shkronjat e arta, e tash edhe me shkronjat e arta duhet të shkruani emrin e juaj në arenën ndërkombëtare. Ajo që jam fokusuar pas përfundimit të finales dhe kurorëzimit është që ta bëjë një skuadër shumë solide. Do të shkoj në Evropë që të paraqitem në mënyrën më të mirë të mundshme, do ta bëjë maksimumin që të përgatitem”, tha Batatina.

Më tutje Batatina bëri të ditur që Llapi në sezonin e ardhshëm do të jetë edhe me lojtar te rinj, ku edhe e konfirmoi se ka arritur marrëveshje me një sulmues shumë kualitativ, emrin e të cilit nuk e bëri të ditur.

Batatina: Po mendoj që ta përforcojë më shumë skuadrën për sezonin e ardhshëm, kam arritur marrëveshje me një sulmues kualitativ.

“Po mendoj që tri repartet, nga reparti defanziv, nga mesfusha dhe sulmi do t’i bëj ndërhyrjet. Në repartin sulmues veçse e kam marrë një lojtar, është kualitativ, por mendoj që kam nevojë edhe krahët t’i përforcojë pak, t’i marr më të fuqishëm, dhe sidomos në mesfushë, kemi nevojë që të kemi një kreativitet në mesfushë. Pastaj, në repartin defansiv gjithmonë duhet të kesh një apo dy lojtar, të cilët në momente të caktuara, kur kemi penalizime, kartona, lëndime, që të jemi një skuadër sa më solide, edhe në arenën ndërkombëtare por edhe për vetë kampionatin që do të fillon”, tha Batatina.

Për fund, Batatina tregoi që do t’i qëndroj besnik skuadrës së Llapit, pavarësisht që ka pasur ofertë që të marr timonin e një skuadre franceze, në Ligën e Dytë të Francës, por nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të ndërroj ambient.

Batatina: Kam pasur ofertë nga Franca, por iu kam treguar që jam i fokusuar tek Llapi, ndërsa te ardhmes nuk i dihet.

“Dua te jem solid, dhe jo pse e kam marre kupën, por ende pa e marrë kupën, dua të jem i sinqertë, kam pasur ofertë nga Franca, në Ligën e Dytë të Francës, që të jem trajner. Kanë ardhur menaxherët e klubit francez dhe kanë biseduar me mua, isha në garë do të thotë për Kupën e Kosovës tash, por kam kërkuar që njëherë do të qëndroj tek Llapi, do të luaj në arenën ndërkombëtare, do ta bëj maksimumin me Llapin që të jem sa më lartë, dhe pasi do t’i arrijë të gjitha objektivat, ndoshta nuk do të them që në të ardhmen nuk do të jem në një skuadër të madhe”, tregoi Batatina.

Tahir Batatina së bashku me skuadrën e Llapit arriti që në sezonin e tij të shtatë si trajner i kësaj skuadre të sjell titullin e parë në qytetin e Llapit, titull historik, ku ne finalen e Kupës së Kosovës e mposhti skuadrën e Dukagjinit pas ekzekutimit të penalltive.

Me këtë triumf, Batatina dhe Llapi do ta përfaqësojnë Kosovën në sezonin e ardhshëm 2021/22 në garat evropiane.