Ballina Aktualitet FMN propozon planin për dhënie fund të pandemisë

FMN propozon planin për dhënie fund të pandemisë

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar një plan prej 50 miliardë dollarëve për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, duke vënë si synim vaksinimin e të paktën 40 për qind të popullsisë deri në fund të vitit 2021.

“Propozimi ynë ka synim, parashikon kërkesat financiare dhe prezanton veprimet pragmatike”, ka thënë Kristalina Georgieva, udhëheqëse e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në Samitin Global të Shëndetësisë, të mbajtur në Romë.

Plani parasheh që të paktën 60 për qind e popullsisë në botë të vaksinohet deri në fund të vitit 2022.

Autorët e raportit kanë thënë se tashmë dihet se kriza ekonomike nuk përfundon pa i dhënë fund krizës shëndetësore.

“Tash e sa kohë ne jemi paralajmëruar për divergjencë të rrezikshme të fatit ekonomik”, ka thënë Georgieva.

“Kjo gjë vetëm do të përkeqësohet teksa zgjerohet hapësira në mes të shteteve të pasura, që kanë qasje në vaksina, dhe atyre që varfra që nuk kanë këtë mundësi”.

Në fund të muajit prill, më pak se 2 për qind e popullsisë në Afrikë është vaksinuar derisa më shumë se 40 për qind e popullsisë në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 20 për qind e popullsisë në Evropë, ka pranuar të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ka thënë FMN-ja.

Për të zvogëluar dallimet në qasje në vaksina, FMN-ja ka theksuar nevojën për subvencione shtesë për skemën COVAX – e cila është krijuar për të ndarë vaksina në vendet e varfra.

Plani prej 50 miliardë dollarëve është një kombinim i të paktën 35 miliardë dollarëve në subvencione, plus burimet nga qeveritë, si dhe fonde tjera, ka thënë mes tjerash FMN.