RFE /RL
Në Bërdo të Sllovenisë, ka përfunduar samiti i shefave të shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, që është në kuadër të nismës së përbashkët të Sllovenisë dhe Kroacisë Bërdo Brion. Në këtë takim, liderët nuk u pajtuan që të bëjnë thirrje për mosndryshimin e kufijve në rajon.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është larguar para përfundimit të samitit, me arsyetimin se ka takime në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai citohet t’u ketë thënë gazetarëve serbë se nuk ka pranuar që në konkluzat e takimit, të përmendet mosndryshimi i kufijve në rajon, pa u përfshirë edhe kërkesa e Serbisë, që kjo të nënkuptojë “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, që sipas tij, nuk është pranuar nga presidentja e Kosovës.
Vuçiq ka insistuar se Kosova është “pjesë e Serbisë” dhe se “me shpalljen e pavarësisë së Kosovës po ashtu nuk është respektuar parimi i mosndryshimit të kufijve”.
Pas takimit, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor tha se formulimi që kërkoi Vuçiqi, për deklaratën përfundimtare, do të nënkuptonte, që disa shtete, përfshirë edhe shtetin e tij, të tërhiqnin njohjen e Kosovës.
“Presidenti Vuçiq nuk ishte kundër që të diskutohej për ndalimin e ndryshimit të kufijve kombëtarë, por ai propozoi një formulim të tillë që do t’i ndalonte të gjitha shtetet që ta njohin Kosovën sepse Kroacia e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, Sllovenia dhe disa shtete të tjera e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jo të gjitha shtetet e BE-së e kanë njohur. Ishte e qartë se ne mund të nisnim diskutimet për këtë temë, por ato nuk do të përfundonin kurrë”, tha Pahor.
Ndërkaq, presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se ky samit kishte për qëllim për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor “që të përafrohen me BE-në, dhe jo për të komplikuar edhe më tej gjërat”.
Në takim morën pjesë presidentja e Kosovës, Vosa Osmani-Sadriu, krahas kolegëve nga shtetet tjera të rajonit, presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovskit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiqit të Serbisë ndërsa nga Bosnja e Hercegvoina janë ftuar të tre anëtarët e presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik.
Regjimet transite ose hibride në Ballkanin Perëndimor
Osmani: Krimet e kryera në Kosovë janë gjenocid
Në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pa pranimin e të vërtetës, rajoni nuk mund të ecë përpara.
Në Bërdo të Sllovenisë, Osmani tha se krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës përbëjnë gjenocid.
“Krimet e kryera nga regjimi i (Sllobodan) Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, tha Osmani.
Gjatë ditës, në margjina të samitit në Bërdo, janë zhvilluar edhe një varg takimesh bileterale.
Presidentja e Kosovës, Osmani është takuar me homologun e saj kroat, Zoran Millanoviq, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, veçmas në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
Osmani është takuar edhe me homologët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.