Ballina Aktualitet CDC mbron vendimin për të hequr maskat për të vaksinuarit plotësisht

CDC mbron vendimin për të hequr maskat për të vaksinuarit plotësisht

 

Drejtuesja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po mbron vendimin për të lehtësuar udhëzimet për përdorimin e maskave për individët e vaksinuar plotësisht, duke theksuar se presioni politik në rritje nuk kishte asnjë lidhje me ndryshimin e menjëhershëm të udhëzimeve.

Drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky, tha të dielën për rrjetin televiziv FOX News se ajo mori vendimin menjëherë sapo shkenca e mundësoi atë.

Deri më tani, më shumë se 156 milion amerikanë ose mbi 47% e popullsisë kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Mbi 121 milion amerikanë janë vaksinuar plotësisht. Zonja Walensky paralajmëroi se edhe me udhëzimet e reja, ishte ende herët të deklarohet fitorja, por ajo shtoi se kishte optimizëm të kujdesshëm për pandeminë.

Sindikata më e madhe amerikane e infermierëve ka kritikuar udhëzimin e fundit të Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të mbajnë maska në shumicën e ambjenteve.

“Udhëzimi më i ri i CDC-së nuk bazohet në shkencë, nuk mbron shëndetin publik dhe kërcënon jetën e pacientëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të vijës së parë të frontit në të gjithë vendin”, tha në një deklaratë Drejtoresha Ekzekutiv i sindikatës, Bonnie Castillo. “Nuk është ende koha për të lehtësuar masat mbrojtëse dhe ne jemi të indinjuar që CDC-ja ka bërë pikërisht këtë gjë ndërsa ende jemi në mes të pandemisë më vdekjeprurëse të shekullit”.

Presidentja e sindikatës Jean Ross tha se “nëse CDC-ja do të kishte njohuri të plota shkencore mbi mënyrën se si transmetohet ky virus vdekjeprurës, ky udhëzim i ri nuk do të ishte lëshuar kurrë”.

Sindikata i bëri thirrje Administratës së Shëndetit dhe Sigurisë në Punë të lëshojë “pa vonesë” standarde të përkohshme urgjente mbi sëmundjet infektive.

“Nëse kjo nuk ndodh, padyshim do të shohim infeksione dhe vdekje të panevojshme, të cilat mund të parandalohen”, thanë përfaqësues të sindikatës.

Të shtunën, CDC-ja njoftoi gjithashtu se me fillimin e shkollave këtë vjeshtë, nxënësit duhet të mbajnë maska në shkollë sepse jo të gjithë mund të vaksinohen plotësisht. Agjencia tha se maskat duhet të mbahen edhe në autobusët e shkollave. Agjencia këshilloi studentët dhe mësuesit të mbajnë distancën fizike prej 2 metrash nga njëri-tjetri.

Vaksina Pfizer-BioNTech u miratua në fillim të këtij muaji për përdorim tek fëmijët 12 vjeç e lart.