Ballina Shëndet Përse dhembin veshkat pas vakteve të rënda – Kujdesi që ju duhet

Përse dhembin veshkat pas vakteve të rënda – Kujdesi që ju duhet

 

Në Shqipëri, numri i personave që vuajnë nga sëmundjet e veshkave ka pësuar rritje të frikshme.

Veshkat janë organe jetike në trupin tonë.

Ato janë përgjegjëse për filtrimin e gjakut, pastrimin e organizmit nga toksinat, prodhimin e hormoneve dhe ruajtjen e ekuilibrave të elektroliteve dhe lëngjeve në trup.

Veshkat kanë përgjegjësi të madhe por edhe janë të brishta, sidomos ndaj stilit të jetesës dhe veçanërisht ushqyerkes së keqe.

.Një regjim ushqimor i shëndetshëm për veshkat ka dy rregulla kryesore: jo më shumë se 2000 mg kripë dhe kalium në ditë dhe jo më shumë se 1000 mg fosfor në ditë.

Veshkat dhe ushqimet e rënda

Ushqimet e yndyrshme, ato të përpunuara dhe veçanërisht të skuqurat janë problematike jo vetëm për tretjen dhe urthin por edhe për veshkat.

Nëse ju keni dhimbje të veshkave pasi keni ngrënë një vakt të rëndë, atëherë problemi, sipas ekspertëve, nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me funksionin veshkave.

Një vakt i rëndë dhe i yndyrshëm mund të shkaktojë probleme me tretjen dhe të shkaktojë të përziera, fryrje, parehati dhe dhimbje që shtrihet nga brinjët e deri poshtë në zonën e zorrëve.

Veshkat ndodhen pikërisht në këtë zonë të ndjeshme ndaj dhimbjes dhe shumë pranë problemit.

Dhimbja që mund të përjetoni në veshka pas një vakti në rëndë, mund të jetë pra duke sinjalizuar një tretje problematike por edhe nevojën për të kufizuar ushqimet e yndyrshme.

Sidoqoftë, kur vjen puna tek shëndeti nuk ka një rregull absolut.

Nëse ju hani rregullisht ushqime të rënda, të yndyrshme dhe me proteinë, siç mund të jetë bifteku, gjasat që të dëmtoni veshkat në të ardhmen janë të mëdha.

Ky dëm shkaktohet nga proteina për shpërbërjen e të cilës janë përgjegjëse veshkat.

Me kalimin e kohës, ushqime të tilla mund të ndikojnë ndjeshëm në funksionin e veshkave.

Nëse ju tashmë vuani prej problemeve të saj, atëherë ngrënia e ushqimeve të yndyrshme dhe me proteinë duhet të jetë sa më e kufizuar.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun

Nëse keni ngrënë një vakt të rëndë e të yndyrshëm dhe keni dhimbje veshkash e simptoma të tjera, atëherë duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.

Simptomat e tjera të rëndësishme ndaj të cilave duhet të jeni të vëmendshëm janë: të vjellat, gjakderdhje në jashtëqitje dhe urinë, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje të fortë mes shpatullave.

Ju duhet të konsultoheni me mjekun edhe në rast se dhimbja në veshka pas vaktit zgjat mbi 24 orë.