Aktualisht, janë më të paktë amerikanët që hezitojnë imunizohen ndaj COVID-it krahasuar me vetëm disa muaj më parë, por pikëpyetjet për efektet anësore dhe mënyrën se si u testuan vaksinat ende i bëjnë disa njerëz të ngurrojnë, sipas një sondazhi të ri.
Vetëm 11% e njerëzve ende të paimunizuar thonë se ata me siguri do ta marrin vaksinën, ndërsa 34% thonë se nuk do ta bëjnë, sipas sondazhit të kryer nga Associated Press dhe Qendra NORC për Studime të Çështjeve Publike.
Kjo tregon se një pjesë e madhe e amerikanëve ende hezitojnë. Mes tyre, 27% thonë se ndoshta do ta marrin vaksinën dhe 27% se nuk do ta marrin, nëse nuk binden nga dikush që mund t’i besojnë.
Imunologia Kizzmekia Corbett e Institutit Kombëtar të Shëndetit është një prej shkencëtarëve që ndihmuan për krijimin e vaksinës Moderna. Ajo kalon orë të tëra duke u dhënë përgjigje të qarta pyetjeve që bëjnë njerëzit, sidomos afrikano-amerikanët, për të hedhur poshtë dezinformimin për tre vaksinat që përdoren në SHBA.
“Jo, vaksinat COVID-19 nuk shkaktojnë infertilitet: Kushdo që përhap thashetheme të tilla, turp të ketë”.
“Jo, krijimi i shpejtë i vaksinave nuk do të thotë që ato janë bërë me punë shkeleshko. Kemi 6 vjet që na ka rënë kurrizi duke punuar për të gjetur vaksina për viruse të ngjashme me COVID-19n dhe kjo punë solli ndryshimin,” tha zonja Corbett për agjencinë Associated Press.
Vaksinimi sa më i shpejtë i njerëzve është me rëndësi kritike për kthimin e vendit në normalitet. Më shumë se 150 milion njerëz – rreth 58% e të gjithë të rriturve – kanë marrë të paktën një dozë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Ndërsa ky numër rritet, edhe ngurrimi po bie. Në përgjithësi, sondazhi AP-NORC tregon se rreth 1 në 5 të rritur amerikanë thonë se ata me siguri ose patjetër nuk do të vaksinohen, krahasuar me rreth një të tretën në janar, kur vaksinimet sapo kishin filluar.
Edhe afrikano-amerikanët po bëhen më të hapur ndaj imunizimit. Prej tyre, 26% thonë se patjetër ose ndoshta nuk do të vaksinohen krahasuar me 41% në janar. Kjo shifër është afër me 22% të hispano-amerikanëve dhe amerikanëve të bardhë që sipas sondazhit nuk ka gjasa të vaksinohen. Midis aziatiko-amerikanëve, vetëm 9% thonë se me siguri ose ndoshta nuk do ta marrin vaksinën.
Hezitime ka nga të gjitha shtresat e shoqërisë amerikane dhe kjo i bën ekspertët të besojnë se në këshillat e tyre për njerëzit nuk ka një përgjigje standarde dhe se njerëzit duhet të marrin këshilla nga burime të besueshme, qoftë nga shkencëtarë si zonja Corbett apo nga mjekët e tyre të familjes.
Sondazhi zbuloi se sidomos amerikanët e zonave rurale nën 45 vjeç që janë republikanë, ka më tepër të ngjarë të thonë se nuk do të imunizohen. Megjithatë, qëndrimet po ndryshojnë: vetëm 32% e republikanëve tani thonë se ata ndoshta ose me siguri nuk do të vaksinohen, nga 44% në janar.
Rreth tre të katërtat e atyre që thonë se nuk ka gjasa të vaksinohen kanë pak ose aspak besim se vaksinat janë testuar siç duhet, ndërsa 55% janë shumë të shqetësuar për efektet anësore, sipas sondazhit.
Zonja Corbett thotë në forume të organizuara nga kolegje të ndryshme, pastorë afrikano-amerikanë, mjekë dhe madje edhe yje të basketbollit si Kareem Abdul-Jabbar, se rruga më e mirë për të kapërcyer mosbesimin është ta shpjegosh shkencën në mënyrë të kuptueshme. Pas disa javësh, ajo do të transferohet me punë në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit për të vazhduar si punën për studimin e vaksinave, ashtu edhe atë të komunikimit me komunitetet.
Krijimi i shpejtë i vaksinave “është historik dhe meriton të ndihemi krenarë për të”, tha zonja Corbett, ekipi i së cilës arriti të përshtaste një vaksinë për virusin e ri, pasi ishte testuar prej gjashtë vjetësh kundër koronavirusëve të tjerë të rrezikshëm si MERS.
Studimet në shkallë të gjerë dhe të dhënat nga realiteti tregojnë se efektet anësore kryesore të vaksinave në SHBA janë ethe ose dhembje të përkohshme paralelisht me forcimin e sistemit imunitar. Vaksinimet po kalojnë nëpër një vëzhgim të pashembullt për sigurinë. Muajin e kaluar kjo çoi në një pauzë të përkohshme të vaksinimeve me Johnson & Johnson për të përcaktuar se si mund të trajtohet një rrezik tepër i rrallë i mpiksjes së gjakut tek personat që imunizohen me këtë vaksinë.
Edhe pas kësaj pauze, besimi i përgjithshëm te vaksinat është rritur paksa krahasuar me disa muaj më parë.
Por mitet për efektet anësore vazhdojnë. Zonja Corbett e quan shqetësimin për të ashtuquajturin infertilitet “krejtësisht absurd”. Në forumet ku ajo flet, shpjegon se përse është biologjikisht e pamundur që vaksinat të ndryshojnë ADN-në e dikujt.
Përsëritja është nëna e dijes; “njerëzit kanë nevojë t’i dëgjojnë gjërat shumë herë”, thotë ajo.
Plus, shumë amerikanë bëjnë ndonjëherë të njëjtat pyetje të cilave shkencëtarët ende nuk u janë përgjigjur plotësisht, të tilla si: a është e nevojshme një dozë përforcuese e vaksinës dhe kur është e nevojshme kjo.
“Këto janë pyetje, të cilave as unë vetë nuk mund t’u përgjigjem. Por mund të them se ne po bëjmë gjithçka mundemi që t’i përgjigjemi sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha zonja Corbett.