Ballina Aktualitet Misioni i SHBA në OSBE: Zgjedhjet të mirëorganizuara

Misioni i SHBA në OSBE: Zgjedhjet të mirëorganizuara

 

Në një deklaratë që misioni i Shteteve të Bashkuara në OSBE ka bërë për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri përgëzohet KQZ për një proces të mirëorganizuar dhe në mënyrë transparente, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia, apo zbatimi i teknologjive të reja.

Në deklaratë thuhet se në këto zgjedhje pati një aplikim të suksesshëm të Kodit të ri Zgjedhor dhe përgëzohet sistemi i ri elektronik i identifikimit të votuesve si një mënyrë kundër rrezikut të votimit të dyfishtë, atij familjar dhe falsifikimit të votave.

SHBA janë gjithashtu të kënaqur që panë të gjitha partitë përkatëse të marrin pjesë në zgjedhje.

Por duke iu referuar raportit OSBE, SHBA thotë se partia në pushtet, kishte përparësi në zgjedhje për shkak të kontrollit në administratën lokale, keqpërdorimit të burimeve administrative. Një tjetër shqetësim që duhet të adresohet është konstatimi i OSBE për shitblerjen e votës.

SHBA përsërit se institucionet e drejtësisë dhe SPAK duhet të vënë para përgjegjësisë çdo individ, që shkel ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit për zgjedhje të lira e të ndershme.