Ballina Ravijëzime Përdoruesit e WhatsApp duhet të pranojnë ndryshimet ose do të bllokohen

Përdoruesit e WhatsApp duhet të pranojnë ndryshimet ose do të bllokohen

 

Përdoruesit e aplikacionit të mesazheve WhatsApp kanë afat deri javën e ardhshme për të pranuar kushtet e reja ose do të bllokohen nga ky rrjet social dhe nuk do të kenë mundësi ta përdorin.

Sipas WhatsApp, që është në pronësi të kompanisë Facebook, afati është deri më datë 15 Maj. Përdoruesit do të duhet të pranojnë rregullat e reja të privatësisë. Nëse nuk i pranojnë, atëherë do të bllokohen.

Ky afat ishte shtyrë me disa muaj nga kompania për shkak të diskutimeve dhe pakënaqësisë që ka ndaj këtyre rregullave. Shumë përdorues të WhatsApp i konsiderojnë të papranueshme rregullat e reja të privatësisë, për shkak se i jep të drejtë Facebook-ut të ketë akses mbi të dhënat personale të përdoruesve.

Afati për pranimin e këtyre ndryshimeve ishte caktuar më datë 8 Shkurt, por u shty për shkak të reagimeve në rrjetet sociale.

Por pas datës 15 Maj, kushdo që refuzon t’i pranojë ndryshimet, atëherë do të ndalohet që të dërgojë mesazhe, madje mund t’i bllokohet edhe llogaria e tij në këtë aplikacion. Fshirja e llogarisë do të ndodhë pas 120 ditësh pasivitet.

WhatsApp ka thënë se pretendimi që Facebook do të ketë akses tek të dhënat personale të përdoruesve nuk është i vërtetë.