Ministrja federale për Evropën dhe Kushtetutën e Republikës së Austrisë, Karoline Edtstadler, theksoi se Ballkani Perëndimor është një nyje sigurie dhe se pa vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa dhe Bashkimi Evropian (BE) nuk do të jenë të plota, raporton Anadolia Agency (AA).
Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, dhe ministrja federale për Evropën dhe Kushtetutën e Republikës së Austrisë, Karoline Edtstadler, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre dypalësh në kuadër të vizitës kthyese në Shkup.
Edstadler, duke theksuar se Austria dhe Maqedonia e Veriut janë miq të ngushtë dhe aleate në zemër të Evropës, tha se ajo është shumë e lumtur që turneun në Ballkanin Perëndimor e fillon nga Maqedonia e Veriut.
Duke theksuar se nga 651.000 doza të vaksinës Pfizer/BionTech të destinuara për Ballkanin Perëndimor, rreth 120.000 do të dorëzohen në Maqedoninë e Veriut, ministrja Edstadler tha se askush nuk është i sigurt, derisa të gjithë nuk janë të sigurt dhe për këtë arsye duhet të kujdesen për çështjen e vaksinave, që është shumë e rëndësishme.
“Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të veçantë për Austrinë, ka rrënjë historike, ka mundësi shumë të rëndësishme ekonomike për bashkëpunim. Ka ndërmarrje me bazë në rajon. Ballkani Perëndimor është një nyje e sigurisë. Pa shtetet e Ballkanit Perëndimor, Evropa dhe Bashkimi Evropian nuk do të jenë të plota”, tha ministrja Edstadler.
Edstadler po ashtu shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Maqedonia e Veriut, janë një aleat shumë i rëndësishëm i Austrisë kur bëhet fjalë për luftimin e migracionit të paligjshëm.
Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov, falënderoi Vjenën për përpjekjet e saj së bashku me Komisionin Evropian për të siguruar 651.000 doza të vaksinave për rajonin.
“Po ashtu do të doja të falënderoj Austrinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe parimore të qartë për të ardhmen evropiane të Ballkanit dhe natyrisht për Maqedoninë e Veriut. Ne ndajmë shumë interesa të përbashkëta me Vjenën. Kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta politike. Kemi interesa të përbashkëta ekonomikë”, nënvizoi Dimitrov.
I pyetur nga gazetarët se si mendojnë që mund të kapërcehet bllokada e Bullgarisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, Dimitrov tha se vendi humbi gjenerata në dhomën e pritjes së Evropës për shkak të çështjeve bilaterale.
“Kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit. Duke punuar në shtëpi dhe zgjidhur probleme me vendet e tjera. Mendoj se nëse Evropa nuk arrin të theksojë dhe konfirmojë këtë sukses, ajo do të dërgojë një mesazh shumë të gabuar për gjithë rajonin”, tha Dimitrov.
Mes tjerash, në konferencën e sotme, ministrja Edtstadler theksoi se Austria jep ofertë që të jetë ndërmjetësues në tejkalimin e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes për fillimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.