Ballina Ravijëzime COVID nxiti shitjet globale online, e-commerce kapërcen 26.7 trilionë $

COVID nxiti shitjet globale online, e-commerce kapërcen 26.7 trilionë $

 

Rritja e fortë e e-commerce, për shkak të kufizimeve të lëvizjes nga pandemia, ka rritur përqindjen e shitjeve me pakicë online në totalin e shitjeve me pakicë, nga 16% në 19% në vitin 2020, sipas vlerësimeve të një raporti të UNCTAD, i publikuar më 3 maj.

UNCTAD e publikoi raportin ndërkohë që po mbante një takim dyditor, për vlerësimin e e-commerce dhe ekonomisë dixhitale.

Sipas raportit, shitjet me pakicë online u rritën ndjeshëm në disa vende, me Republikën e Koresë që regjistroi shifrën më të lartë në 25.9% në vitin 2020 krahasuar me 20.8% një vit më parë. Ndërkohë shitjet globale të e-commerce u rritën në 26.7 trilionë dollarë në vitin 2019, në rritje me 4% krahasuar me vitin 2018, sipas vlerësimeve të fundit të disponueshme.

Kjo përfshin shitjet business-to-business (B2B) dhe business-to-consumer (B2C) dhe është ekuivalente me 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global të atij viti.

“Këto statistika tregojnë rëndësinë në rritje të aktiviteteve online. Ato theksojnë edhe nevojën e vendeve, veçanërisht ato në zhvillim, për të pasur këto informacione ndërkohë që rimëkëmbin ekonomitë e tyre nën ndikimin e pandemisë së Covid-19” – tha Shamika Sirimanne, drejtuesi teknologjisë dhe logjistikës në UNCTAD.

Estimates of global e-commerce 2019 and preliminary assessment of covid-19 impact on online retail 2020, UNCTAD Technical Notes on ICT for Development No. 18

Rënie për disa kompani, rritje për të tjera

Të dhënat për 13 kompanitë më të mëdha të e-commerce, 11 prej të cilave nga Kina dhe SHBA, tregojnë një përmbysje të dukshme të fatit për kompanitë e platformave që ofrojnë shërbime si ride-hailing dhe udhëtime.

Të gjitha pësuan një rënie të fortë të Vlerës Bruto të Shitjeve (GMV) dhe rënieve përkatëse në renditje. Për shembull Expedia zbriti nga vendi i 5 në 2019 në vendin e 11 në 2020; Booking Holdings nga vendi i 6 në të 12-in; dhe Airbnb, nga vendi i 11 në të 13-in.

Pavarësisht tkurrjes së GVM të shoqërive të shërbimeve, GMV totale e 13 shoqërive të para të e-commerce B2C u rrit me 20.5% në 2020, më e lartë krahasuar me vitin 2019 (17.9%). Disa shoqëri kanë regjistruar fitime veçanërisht të larta si Shopify (+95,6%) dhe Walmart (72,4%). Në total, GMV B2C për 13 shoqëritë e para ishte 2.9 trilionë dollarë në 2020.

Estimates of global e-commerce 2019 and preliminary assessment of covid-19 impact on online retail 2020, UNCTAD Technical Notes on ICT for Development No. 18

Shitjet Business-to-business dominojnë e-commerce

Raporti vlerëson se vlera e e-commerce global B2B në vitin 2019 ishte 21.8 trilionë dollarë, e cila përfaqëson 82% të gjithë e-commerce, duke përfshirë si shitjet në platformat online të tregut, si transaksionet elektronike të shkëmbimit të të dhënave (Electronic Data Interchange – EDI)

Shitjet e e-commerce B2C vlerësohen në 4.9 trilionë dollarë në 2019, në rritje me 11% krahasuar me 2018. Tre vendet e para për shitje e-commerce B2C mbeten Kina, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Tregtia elektronike ndërkufitare B2C arriti rreth 440 miliardë dollarë në 2019, me një rritje me 19% krahasuar me 2018. Raporti i UNCTAD vë në dukje se pjesa e konsumatorëve online që bëjnë blerje ndërkufitare u rrit nga 20% në 2017 në 25% në 2019 .

Estimates of global e-commerce 2019 and preliminary assessment of covid-19 impact on online retail 2020, UNCTAD Technical Notes on ICT for Development No. 18

Vendi me qarkullimin më të madh të shitjeve online është SHBA me 9.580 miliardë dollarë, e barabartë me 45% të PBB, e ndjekur nga Japonia (3.416 mld, 67% të PBB) dhe Kina (2.604 mld, 18%). Renditja vijon me Korenë e Jugut, 1.302 miliardë (79% të PBB), Mbretërinë e Bashkuar (885 mld, 31%),  Francën (785 mld, 29%) dhe Gjermaninë (524 mld, 14%). Në vend të tetë,  Italia, me 431 miliardë, e barabartë me 22% të PBB. Top 10 mbyllet me Australinë (347 mld, 25% të PBB) dhe Spanjën (344 mld, 25%).

Burimi: UNCTAD