Ballina Aktualitet Indi, rëndohet gjendja e COVID, qeveria nuk përfilli paralajmërimet

Indi, rëndohet gjendja e COVID, qeveria nuk përfilli paralajmërimet

 

Në Indi, vendi i dytë në botë për nga popullsia, gjendja e infeksioneve me koronavirus vazhdon të rëndohet.

Për herë të parë, rastet e reja ditore me COVID e kaluan shifrën 400 mijë.

Një forum këshilltarësh shkencorë i krijuar nga qeveria i paralajmëroi zyrtarët indianë në fillim të muajit mars për një variant të ri edhe më ngjitës të koronavirusit që është përhapur në vend.

Shkencëtarët thanë se pavarësisht paralajmërimit, qeveria nuk mori masa për të vendosur kufizime që do të frenonin përhapjen.

Miliona njerëz, shumica pa maska, morën pjesë në festa fetare dhe tubime politike të mbajtura nga Kryeministri Narendra Modi, udhëheqësit e Partisë në pushtet dhe politikanë të opozitës.

Dhjetëra mijëra fermerë, ndërkohë, vazhduan të protestonin në kampingje të mëdha pranë kryeqytetit Nju Deli kundër ndryshimeve të politikave bujqësore nga ana e kryeministrit.

India tani po lufton për të frenuar një valë të dytë infeksionesh shumë më të rëndë se sa e para vitin e kaluar. Disa shkencëtarë thonë se vala po përshpejtohet nga një variant i ri i koronavirusit si dhe një tjetër i zbuluar për herë të parë në Britani.