E hënë, 23 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Deputeti gjerman Sarrazin për Shqipërinë: Duhet bashkëpunim e jo luftë llogoresh

Reagon një tjetër deputet nga Gjermania: Raportuesi për Shqipërinë në Bundestag, Manuel Sarrazin nga Të Gjelbrit kërkon bashkëpunim gjithë-partiak për reformat.

Pas reagimit të dy partive të para gjermane ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, ka reaguar tashmë edhe partia e tretë e opozitës, Të Gjelbrit. Raportuesi i kësaj partie, Manuel Sarrazin, nisur nga fakti, që ende nuk dihet saktësisht se kush do të dalë fitues, është përqendruar te thirrja për bashkëpunim serioz dhe të përgjegjshëm në rrugën e reformave:

“Si në qeveri, sinë opozitë, të gjitha partitë tani duhet të ndjekin së bashku kursin e reformave me më shumë përgjegjshmëri dhe seriozitet se më parë”, i tha Sarrazin sot DW në një deklaratë me shkrim.

Një kërkesë kjo që me sa duket shkon më shumë në adresë të opozitës aktuale e cila dogji mandatin në vitin 2019. Sipas ekspertit për Evropën Juglindore “bojkotimi i parlamentit ishte jodemokratik dhe i papërshtatshëm, duke pasur parasysh sfidat e mëdha, me të cilat përballet vendi. Qeveria dhe parlamenti adresojnë dhe zgjidhin problemet ekzistuese në fusha të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, liria e medias, korrupsioni dhe mbrojtja e mjedisit. Vendi ka nevojë për reforma urgjente dhe jo për vazhdimin e luftës së llogoreve.”

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21

Kutitë e votimit në Shqipëri. Numërimi i votave ende nuk ka përfunduar zyrtarisht. E martë, 27.04.2021

Sarrazin i cili së bashku me kolegët socialdemokratë në Bundestag ka qenë gjithnjë për fillim pa kusht të negociatave shfrytëzon rastin të ripërsërisë kërkesën e tij të kahershme për të filluar sa më shpejt negociatat me Shqipërinë:

“BE-ja duhet ta mbështesë vendin në rrugën drejt BE-së dhe të mbajë premtimet e bëra. Prej kohësh Shqipëria ka përmbushur kushtet për hapjen e kapitujve të parë dhe ka zbatuar reformat e para në fushat e drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse BE-ja e shtyn pafundësisht hapjen e bisedimeve të para për anëtarësim, ajo do të dobësojë më tej besueshmërinë e procesit të pranimit në BE.”
Grupi parlamentar i Të Gjelbërve është aktualisht më i vogli në Bundestagun gjerman, por nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e sivjetshme për parlamentin gjerman ai të luajë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së re.

Të fundit

  1. Muzikë

    Një tjetër shtet tërhiqet nga "Eurovizion 2027" për këtë arsye jo politike
  2. Këngë

    Dua Lipa zbulon shprehjen shqipe që përdorej më shumë në familjen e saj
  3. Shkencë dhe teknologji

    Instagram vjen me një funksion të ri: Përdoruesit mund të modifikojnë Story-t edhe pas publikimit
  4. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  5. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër

Më shumë nga Aktualitet