Ballina Aktualitet A RREZIKOJMË TË DËMTOJMË TRUNGUN TONË KOMBËTAR NGA PYKAT PARTIAKE?! – Nga...

A RREZIKOJMË TË DËMTOJMË TRUNGUN TONË KOMBËTAR NGA PYKAT PARTIAKE?! – Nga Mehmet PRISHTINA

 

Shqiptarët nuk kanë nevojë të fusin pyka tek njëri tjetri, por kanë nevojë ta fuqizojnë trungun  e përbashkët kombëtar me punë e projekte që konsolidojnë mirëqenien ekonomike, sociale, politike e të sigurisë së dy vendeve tona.  Bashkëpunimi brendakombëtar nuk ka alternativë tjetër dhe çdo kush që provon këtë bashkëpunim ta reduktoj në suaza të ngushta partiake, është i destinuar të dështojë, sepse shqiptarët tash më janë një komb i pjekur politik që din saktësisht të ndajë interesin partiak nga ai kombëtar.

Të dielën, më 25 prill, Shqipëria i drejtohet kutive të votimit. Zgjedhjet parlamentare të radhës do të konfirmojnë edhe një herë vullnetin politik të qytetarëve për të një legjislativë të re. Forcat politike që po garojnë, e kanë forcuar diskursin dhe retorikën elektorale, duke i dhënë asaj trajta të dhunshme. Kjo u dëshmua edhe në incidentin e rëndë të Elbasanit ku mbeti i vrarë një person dhe disa të tjerë u plagosën. Fatkeqësisht skena politike shqiptare ende vuan pasojat e një mendësie të pareformuar plotësisht, e cila oponentin politik  vazhdon ta trajtoj si armik që duhet eliminuar me çdo kusht. Elitat politike në Tiranë nuk arritën ta çrrënjosin këtë mendësi vrastare dhe për pasojë në garën elektorale shohim më tepër retorikë me prirje militantësh, se sa programe dhe platforma zhvillimore.

Tani kur jemi në prag të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, çka mund të themi se cili mund të jetë impakti i këtyre zgjedhjeve në rajon e posaçërisht në Kosovë. Fillimisht duhet thënë se Kosova viteve të fundit është bërë model i zgjedhjeve demokratike, ku po vjen në shprehje kultura qytetare dhe edukimi politik i masave dhe i subjekteve partiake. Institucionet e Kosovës që mbikëqyrin procesin zgjedhor kaluan disa faza të reformimit dhe tani mund të themi se policia, gjyqësia, komisionet zgjedhore, monitoruesit,  instrumentet e ankimimit etj. janë në përputhje me atmosferën demokratike të çdo shoqërie që organizon zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Zgjedhjet që do të mbahen të dielën në Shqipëri, përveç që do të sjellin një qeveri dhe një parlament të ri, ato do të hapin edhe një temë të ndjeshme debati mbi atë se duhet apo nuk duhet partitë politike nga Kosova të garojnë në Shqipëri dhe anasjelltas.
Kosova dhe Shqipëria kanë aspirata të përbashkëta evropiane për t’u integruar si të gjitha vendet që aktualisht e përbëjnë BE-në. Përveç kësaj, Shqipëria dhe Kosova kanë edhe aspirata shekullore për të jetuar në një shtet të përbashkët. Këtë aspiratë të shqiptarëve e dinë shumë mirë edhe miqtë, edhe armiqtë e shqiptarëve. Bile këta të fundit janë kujdesur që kësaj aspirate t’i ndajshtojnë edhe sintagmën “Shqipëria e Madhe”, një parullë kjo e huazuar nga koha e pushtimit fashist të trojeve shqiptare, por që në fakt nuk shpreh atë që në fakt e synojnë shqiptarët. Sepse Kosova aktualisht nuk ndodhet në kurrfarë harte imagjinare të Shqipërisë së Madhe, por ajo ndodhet aty ku ka qenë gjithmonë të cilën padrejtësisht e kanë shkëputur nga trungu kombëtar gërshërët e  konferencave ndërkombëtare dhe tendencat grabitqare të fqinjëve shovinistë.

Pra, shqiptarët i kanë të qarta aspiratat e tyre evropiane dhe kombëtare, mirëpo këto nuk guxojmë t’i shesim si kauza politike për fitore partiake. Nëse një subjekt politik me origjinë nga Kosova garon në skenën elektorale të Shqipërisë, kjo do të krijonte keqkuptime të panevojshme në relacionin Prishtinë-Tiranë, sepse në vend që shkalla e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të rritej, ajo do të pësonte rënie si pasojë e garës së pakuptimtë politike- partiake në mes të dy vendeve tona.
Fillimisht ishte Edi Rama ai i cili protagonizmit e tij politik në Kosovë i dha trajtat e një mbështetësi të një anshëm vetëm të një krahu politik dhe të gjitha ideve e veprimeve politike që vinin nga ai krah politik. Për shumë kënd ky protagonizëm i kryeministrit shqiptar ishte i pakuptimtë, aq më tepër që në tryezat e ndryshme politike e diplomatike ndodheshin  edhe ide e projekte që cenonin  të ardhmen  e Kosovës, siç ishte ideja për shkëmbim të territoreve apo për korrigjim kufijsh, ku Edi Rama mbante pozicion të njëanshëm. Ai është munduar ta sqarojë se nuk është protagonist dhe ideator i këtyre projekteve, por me vet faktin se ishte shumë i afërt me kreatorët e këtyre ideve, linte hapësirë për dyshime dhe rezerva ndaj rolit të tij.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama edhe sot beson se ideja e tij për Mini Shengenin është në rregull, por ende nuk ka arritur ta sqarojë se si mundet në këtë projekt të përfshihet Kosova si subjekt i barabartë, i cili jo vetëm që nuk njihet nga Serbia, por edhe luftohet egërsisht në planin ndërkombëtarë. Apo ai dhe bashkëmendimtarët e tij mendojnë që Kosova të shërbej vetëm si korridor ku do të kalonin lehtësisht mallrat serbe drejt porteve detare të Shqipërisë, ndërkohë që mallrat e Kosovës hasin në mijëra pengesa nga autoritetet serbe dhe për pasojë Serbia nuk e trajton Kosovën ashtu siç e trajton Shqipëria Serbinë (!).

Por, kur jemi te zgjedhjet dhe interferimin e tyre politik, këtu gjërat duhet parë me mendje të ftohtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë krijuar për ta mundur njëra tjetrën politikisht, por për ta mbështetur kombëtarisht. Nëse një parti politike e Kosovës i fiton disa ulëse në Kuvendin e Shqipërisë dhe kjo prodhon ftohje në mes të krerëve të të dyja shteteve, atëherë kjo mund të quhet si një  “Fitore e Pirros”, ose thënë në gjuhën e shahut sa ia vlen të humbasësh mbretëreshën për një kalë. Me fjalë të tjera, fitoret tona partiake nëse nuk i ndihmojnë forcimit të kohezionit tonë brendakombëtar, atëherë nuk kemi nevojë për fitore të tilla. Nesër mund t’i teket një subjekti politik nga Shqipëria të shtrijë aktivitetin e saj edhe në Kosovë dhe kjo shtrirje mund të mos jetë në funksion të ideve përbashkuese, por përkundrazi, të jenë pyka të dëmshme që plasarit dhe çan trungun tonë të përbashkët kombëtar.
Shqiptarët nuk kanë nevojë të fusin pyka tek njëri tjetri, por kanë nevojë ta fuqizojnë trungun  përbashkët kombëtar me punë e projekte që konsolidojnë mirëqenien ekonomike, sociale, politike e të sigurisë së dy vendeve tona.

Bashkëpunimi brendakombëtar nuk ka alternativë tjetër dhe çdo kush që provon këtë bashkëpunim ta reduktoj në suaza të ngushta partiake, është i destinuar të dështojë, sepse shqiptarët tash më janë një komb i pjekur politik që din saktësisht të ndajë interesin partiak nga ai kombëtar.

Prishtinë, 23 prill, 2021