Ballina Aktivitete Ponari: Pandemia goditi bizneset por krijoi dhe mundësi të reja

Ponari: Pandemia goditi bizneset por krijoi dhe mundësi të reja

 

 

 

Pandemia preku ekonomitë e gjithë botës dhe shkurtoi vendet e punës. Vendosi në vështirësi buxhetin e shtetit dhe frenoi planet e investimeve publike dhe private.

Ky vit që ka hyrë premton ndryshime për mirë, veçanërisht biznesi si agjenti kryesor ekonomik.

Price Watter House Coopers Consulting, një nga kompanitë botërore lider në fushën e auditimit dhe konsulencave fiskale dhe legale ka kryer një anketim në nivel global, ku kanë marrë pjesë mbi 5000 drejtuesë kompanish nga më shumë se 100 vende të botës përfshirë edhe Shqipërinë, mbi vizionin dhe pritshmëritë e CEO-ve të kompanive të mëdha për zhvillimin e ekonomisë post-covid.

Sondazhi adreson 3 elementë të rëndësishëm që janë relevantë në tregun ku operojmë: besimi në rimëkëmbjen e ekonomisë, risqet me të cilat përballet biznesi dhe reagimi i tyre për këto risqe nëpërmjet masave të ndryshme apo orientimit të investimeve.

Drejtuesit shqiptarë besojnë në përmirësimin e ekonomisë globale si dhe në rritjen e të ardhurave të kompanive të tyre.

66% e drejtuesve të kompanive shqiptare besojnë se ekonomia globale do të përmirësohet brenda 12 muajve të ardhshëm, 76.6% prej tyre mendojnë se të ardhurat e kompanive të tyre do të rriten brenda 12 muajve të ardhshëm dhe 80.9% e tyre mendojnë se të ardhurat e kompanive të tyre do të rriten në 3 vitet e ardhshme.

Zoti Ponari, ku bazohet ky optimizëm i drejtuesve të kompanive Shqiptare, përfshirë edhe Ju, sipas asaj që na referon sondazhi?

Ponari: Pas çdo stuhie lind dielli, ndaj edhe për ekonominë globale dhe atë shqiptare po afron lindja e diellit pas stuhisë së madhe që kaluam dhe që ende nuk ka përfunduar.

E ardhmja duket më pozitive, më premtuese, sepse ekonomia botërore do të ketë ndryshime dhe natyrisht ndryshime për mirë do të ketë edhe ekonomia shqiptare.

Pavarësisht goditjes që pandemia i dha biznesit krijoi dhe një lloj zgjimi tek bizneset për të gjetur hapësira dhe mundësi të reja, duke bërë që bizneset të orientohen sot drejt një rruge të re që është bota dixhitale. Pra kriza krijoi edhe mundësi dhe i bëri bizneset dhe drejtuesit e tyre për të menduar hapësira të reja se ku duhet të riorientohen dhe të investojnë.

Industritë në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë ndërtuar strategji të reja të cilat do ta çojnë biznesin më përpara, drejt linjës së bizneseve botërore.

A ka një pjekuri të biznesit shqiptar pas gjithë kësaj stuhie dhe a mund të flasim për një ndërgjegjësim më të madh të biznesit tonë pas gjithë kësaj krize për shkak te Covid 19 për një oportunitet të ri, ku mund të shikohet që të vetëm nuk mund të bëjmë dot ndërsa me bashkëpunime mund të arrijmë më lart?

Ponari: Zhvillimi i biznesit në tërësi kërkon që të ketë një partneritet me baza të shëndosha dhe solide. Sot ndërmarrjet e mëdha shqiptare janë të lidhura me koorporata të mëdha të Europës Perëndimore dhe të vendeve të tjera, ç’ka ka krijuar një partneritet solid, veçanërisht në tregun e sigurimeve, ku pothuaj gjysma e kompanive janë në partneritet me kompani të mëdha Europiane dhe kjo ka krijuar mundësi dhe hapësira të jashtëzakonshme dhe sigurisht ka dhënë edhe një garanci të madhe financiare, jo vetëm për vetë kompanitë por por të gjithë tregun në tërësi.

Në këtë aspekt, tregu është fokusuar në rritjen dhe konsolidim, ç’ka do të bëjë që në vitet e ardhmshme apo ndoshta edhe menjëherë pas pandemisë bizneset vendase do të jenë më solide nga shumë pikëpamje. Dhe ndoshta zhvillimi i reformave nga shteti që janë aq të domosdoshme për ekonominë në Shqipëri, do të bëjnë që ekonomia dhe biznesi të mos përqëndrohet më vetëm në disa persona, por të zgjerohet dhe të kalohet në ekonomi shumë më të mëdha, me më shumë persona, duke krijuar një avantazh për të gjitha bizneset dhe për pasojë edhe më shumë avantazhe edhe për punonjësit e tyre.

Zoti Ponari, ju operoni në industrinë e sigurimeve dhe një nga shërbimet apo paketat që ofroni janë edhe sigurimet e shëndetit dhe të jetës. Sa ka ndikuar pandemia që Shqiptarët të ndërgjegjësohen për të blerë një sigurim të tillë?

Ponari: Ne shpesh kemi folur për sigurimet dhe hapësirat dhe mundësitë që ofron kjo industri. Aktualisht kjo është një nga industritë më të goditura për shkak të krizës së pandemisë, sepse shumë ndërmarrje dhe koorporata të mëdha në të gjithë botën kanë qenë të siguruar dhe industrisë së sigurimeve i është dashur të paguajë dëme në shuma jashtëzakonisht të mëdha.

Në industrinë e sigurimeve në Shqipëri dy janë elementët që e bëjnë që kjo industri të jetë e pandjeshme në rritjen ekonomike të vendit: e para është mentaliteti i qytetarëve shqiptarë dhe e dyta është legjislacioni.

Ndërsa sa i përket nga pikëpamja e sigurimeve të shëndetit dhe të jetës ka një moskuptim të drejtë sepse nga njëra anë është tregu i sigurimeve për të mbuluar këto dëme për sigurimet e jetës, të shëndetit, dëmet nga tërmetet, përmbytjet dhe në tërësi nga fatkeqësitë natyrore dhe nga ana tjetër kemi qeverinë e cila vazhdon akoma të marrë përsipër të përballojë këto dëme, duke anashkaluar këtë industri.

Një pjesë e qytetarëve e prekën vetë se çdo të thotë të përfitosh nga sigurimet, kur ra tërmeti, ku rreth 30 milionë euro dëme u paguan nga kompanitë e sigurimeve, sikundër gjatë pandemisë ka patur dëme të konsiderueshme edhe sa i përket shëndetit.

Nëse do ti rikthemi pyetjes nëse e gjithë kjo a ka shërbyer për ti ndërgjegjësuar shqiptarët dhe a ka një rritje të sigurimeve të jetës dhe shëndetit, do të thoja që shqiptarët ende mbeten besnikë të asaj shprehjes që gjithçka e lëmë në dorë të Zotit, ndaj nuk ka patur një efekt konkret të dukshëm, por vetëm një tentativë shumë të vogël që përllogaritet në përqindje, por në vlerë apsolute në fakt është e papërfillshme.

Sot industria e sigurimeve në Shqipëri zë vetëm 35 euro për frymë, pra mesatarisht një qytetar shqiptar konsumon vetëm 35 euro sigurime në vit, ndërsa qytetarët e rajonit dhe Europës konsumojnë 3000 euro për frymë, dërsa Zvicra dhe Amerika mbi 6000 euro për person.

Nga pikëpamja e rekrutimeve për palët e treta, si e shihni ju mungesën e fuqisë punëtore në treg?

Ponari: Një nga arsyet e mungesës së fuqisë punëtore për ndërmarrjet dhe institucionet, pavarësisht se jemi në ekonomi tregu, mendoj që po të pyesësh të rinjtë shqiptarë por edhe grupmoshat e tjera se ku do të punosh, të gjithë duan të punojnë në shtet. Arsyet se përse dihen. Sepse mendojnë që në shtet puna është më e rehatshme, kërkesa e llogarisë është më e vogël, ndërsa në ndërmarrjet private puna është më e kontrolluar dhe ka kërkesë llogarie më të lartë.

Ajo që duhet bërë mendoj unë për ta minimizuar këtë lloj mendësie dhe trendi pune është që të kalohet në paga preferenciale sipas industrive dhe niveleve të punës. Kjo do të bënte që të mbroheshin interesat e atyre kompanive që përgatisin stafe profesionale, që të mos u ikin punonjësit dhe të kalojnë sa nga një kompani në një tjetër, siç po ndodh në industrinë financiarë që është dhe më e goditura sa i përket këtij fenomeni.

Sot ne jemi përballë një page që krijon hapësirë për tu larguar çdo punonjës i kualifikuar sepse taksat në profesionet e lira janë aq të ulta sa ato nuk do të donin të punonin në profesionet ekonomike. Vetëm përfitimi nga taksat i profesioneve të lira është i barabartë me fitimin vjetor të një punonjësi në sektorin financiar.

Një punonjës që punon në industrinë financiare i cili paguhet me 500 mijë lekë të reja në muaj, ai paguan 20 milionë lekë taksa në vit dhe kjo e bën atë të painteresuar që të vazhdojë të punojë në këtë sektor.

Pra rregullimi i sistemit të pagave dhe taksave bën të mundur edhe rregullimin e punonjësve dhe kërkesave për punë.

Zoti Ponari, a po investoni ju tek punojësit tuaj me qëllim që të rritet produktiviteti i tyre dhe kompania të bëhet më konkurruese në treg?

Ponari: Pa diskutim që një nga synimet e kompanisë që unë drejtor, SIGAL Uniqa Group Austria, është edhe rritja profesionale e punojësve që ata të jenë kompetentë të kryejnë funksionet që kanë marrë përsipër të bëjnë apo ato detyra që u janë ngarkuar.

Ne u kushtojmë vëmendje jo vetëm trajnimeve brenda vendit, sepse ato janë të domosdoshme, por njëkohësisht një rëndësi të veçantë u kushtojmë trajnimeve jashtë, në Europë.

Pjesa më e madhe e stafit që unë drejtor janë të trajnuar në Vjenë dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian, për të gjitha llojet e produkteve apo procedurat që duhet të ndjekin.

Nga njëra anë kjo përgatitje ka bërë që ata të jenë të lakmueshëm nga kompanitë e tjera që preferojnë ti marrin të gatshëm dhe ti përdorin si burime të tyre njerëzore, dhe nga ana tjetër kjo ka nxitur një konkurrencë ndërmjet kompanive për të patur stafe profesionistësh në mënyrë që kompania të rritet dhe të ecë me hapa të shpejtë.

Stafet e mirëpërgatitura, siç janë në SIGAL, bën që kompania jonë të jetë tepër kompetitive me kompanitë e tjera, të cilat përpiqen që këtë kontigjent punojësish ta marrin të gatshëm dhe ta përdorin për kompanitë e tyre.

Prandaj është e domosdoshme që kjo përgatitje dhe investim në staf të bëhet jo vetëm në një kompani por në të gjitha kompanitë dhe industritë me qëllim që të ketë nivele të barabarta dhe të ketë një standard të personave që drejtojnë kompanitë dhe departamentet përkatëse në çdo kompani.

Ne, duke qenë pjesë e një grupi të madh siç është UNIQA dhe duke patur një ‘know how’ shumë të mire, përqendrohemi në këtë përgatitje europiane, krahas përgatitjes lokale, që të jemi me të njëjtat standarte si kolegët tanë europianë e ndërkombëtarë, të jemi në të njëtat nivele me ta sa i përket cilësisë së përgatitjes profesionale.

Sipas mendimit Tuaj, cili është roli i shtetit në industrinë e sigurimeve ku ju operoni?

Ponari: Roli i shtetit është gjithmonë i rëndësishëm në çdo industri, pavarësisht se në industrinë tonë ka një rol më tepër mbikëqyrës. Ky rol duhet fuqizuar sa më shumë në mënyrë që edhe shërbimet të jenë koherente dhe garancitë financiare të kompanive të jenë të fuqishme. Nga ana tjetër, sa i përket përgatitjes dhe kualifikimit të punonjësve, shteti ka shumë gjëra në dorë që mud të bëjë për të rritur cilësinë e shërbimeve në tërësi.

Shkëputur nga emisioni i A2 Business, i gazetares Aurora Sulçe