Ballina Aktualitet Ngjarja në Elbasan ka dy këndvështrime – Nga Ermal MULOSMANI

Ngjarja në Elbasan ka dy këndvështrime – Nga Ermal MULOSMANI

 

Nëse e shohim politikisht do kuptojmë sa mbrapa botës jemi. Përkundër vitrinës moderne, fjalimeve të bukura, imazheve 3D, porteve, aeroporteve, lungomareve e grataçelave të Kryeministrit qëndron realitet banditesk, totalisht jashtë kontrollit shtetëror por me mbikëqyrjen dhe menaxhimin e drejtuesve partiakë.
Si mundet Taulant Balla të thotë që PD ka një pushtet paralel të banditëve që ndalojnë njerëz në mes të rrugës, madje edhe vetë Fevzon e madh? Po çfarë bën shteti të cilin ti e ke nën kontroll prej tetë vjetësh? Pse nuk i arreston ata banditë por i lë të vrasin e pastaj bën viktimën? Në një vend normal I pari që do arrestohej duhej të ishte Drejtori i Policisë së Elbasanit.Ky është dështim spektakolar i një shteti. Të lësh qytetarët në mëshirë të banditëve është të pohosh me gojën tënde dështimin. Nëse nuk garantoni sigurinë e qytetarëve duhet të zhdukeni nga pushteti një orë e më parë.
Nga ana tjetër Gazment Bardhi deklaroi që shtabi elektoral i PD-së ka ngritur strukturën e mbrojtjes së votës. A është ligjore kjo strukturë? Për sa kohë nuk kryen veprime të dhunshme por vetëm, gjurmuese, identifikuese apo dokumentuese të vjedhjes së votës, militantët vullnetarë të partive janë në të drejtën e vet dhe i bëjnë një shërbim demokracisë. Ama, nëse janë të armatosur dhe shkrepin armën këtu janë struktura paraushtarake dhe duhet të japin llogari.
Po si t’ia bëjnë kur përkrahësit e pushtetit janë edhe përfaqësuesit më të njohur të botës së krimit që nuk pyesin për ekzistencën e policisë por e sfidojnë hapur atë, që qarkullojnë gjithë ditën e ditës me armë dhe rrahin e vrasin njerëz mes të qyetit?!
Këtu jemi në kapërcim të normalitetit. Partia Demokratike ka dy rrugë, të nënshtrohet e të pranojë vjedhjen ose të rezistojë duke shkelur ligjin.
Kush është fajtori në këtë mes?
Sigurisht fajtori kryesor është shteti që përmes strukturave të veta policore nuk bën zap elementët kriminalë. Nëse kriminaliteti del sheshit mos prit që pala tjetër të duartrokasë.
Këndvështrimin tjetër, që është më interesant, atë me detajet se si erdhi, si shkoi, ku i ra, sa plumba goditi, kush qëlloi i pari e trajton Fevzo me Klodianën.