Të rinjve të shëndetshëm që kanë kaluar Covid-19 u është kërkuar të bëhen vullnetarë për një eksperiment që do t’i ekspozojë ata qëllimisht ndaj virusit pandemik.
Ekspertët që qëndrojnë pas studimit, duke filluar nga ky muaj, duan të shohin se si sistemi imunitar e përballon këtë virus herën e dytë.
Objektivi final është që të krijohen dhe prodhohen vaksina më efikase. Rreth 64 persona të moshës 18-30 vjeç do të kalojnë 17 ditë në karantine në një ambient spitalor dhe do të bëjnë teste të shumta, duke përfshirë skanimet e mushkërive. Ata do të riekspozohen ndaj virusit, versionit origjinal nga Wuhan-i, Kinë, në një “mjedis të sigurtë dhe të kontrolluar” ndërsa ekipi mjekësor do të monitorojë shëndetin e tyre.
Simptomat e tjera
Faza e parë e këtij studimi, e financuar nga Wellcome Trust, do të synojë të vendosë dozën më të ulët të virusit dhe të fillojë shumëfishimin, por duke prodhuar pak ose aspak simptoma. Kjo dozë që do të përdoret më pas për të infektuar pjesëmarrësit në fazën e dytë të studimit pritet të fillojë gjatë verës. Vullnetarëve që zhvillojnë simptoma do t’u jepet një trajtim me antitrupa për t’i ndihmuar ata të luftojnë infeksionin. Ata do të “lihen të lirë” vetëm në momentin kur mendohet se nuk përbëjnë rrezik për të tjerët.
Terapitë anti-virale
Prof. Helen McShane, nga Universiteti i Oksfordit, u shpreh se “Studimet të këtij lloji na tregojnë gjëra që studimet e tjera nuk munden sepse, ndryshe nga infeksioni natyror, ato kontrollohen në mënyrë shumë strikte. Kur i riinfektojmë këta pjesëmarrës, ne do të mësojmë saktësisht se si sistemi i tyre imunitar ka reaguar ndaj infeksionit të parë Covid, saktësisht kur ndodh infeksioni i dytë, dhe se si është gjendja e tyre.
Përveç faktit që studime të tilla na ndihmojnë shumë për ta kuptuar më mirë këtë sëmundje, ato do të jenë gjithashtu një ndihmë mjaft e madhe për të krijuar teste që mund të parashikojnë me saktësi nëse njerëzit janë të mbrojtur apo jo. Prof. Lawrence Young, nga Universiteti Warwick, tha “Studimet e sfidave njerëzore kanë një histori të gjatë të të qenit në gjendje të gjenerojnë informacione të rëndësishme në lidhje me infeksionet në kushte rreptësishtë të kontrolluara si dhe lejojnë që efikasiteti i vaksinimit të vlerësohet me saktësi”.
“Ato do të përmirësojnë ndjeshëm kuptimin tonë mbi dinamikën e infektimit nga virusi dhe të përgjigjes imune, si dhe do të sigurojnë informacion të vlefshëm për të ndihmuar në krijimin dhe prodhimin e vazhdueshëm të vaksinave dhe zhvillimin e terapive anti-virale”, përfundoi ai./BBC